Siriani (23) godiste njerëz në rrugë në Austri dhe vrau një fëmijë 14-vjeçar

Një 23-vjeçar sirian plagosi pesë kalimtarë rastësisht me thikë në Villach, një qytet në jug të Austrisë, raportoi policia. Në sulm humbi jetën një djalë 14-vjeçar, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën. Policia e ka arrestuar të dyshuarin. Burri është shtetas sirian me leje të rregullt qëndrimi në Austri, njoftoi policia.
“Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe tronditëse,” tha Rainer Dionisio, shefi i departamentit të marrëdhënieve me publikun në policinë e Karintisë.
“Ende nuk dihet sfondi i këtij sulmi, dhe aktualisht po zhvillohet një hetim i plotë për të gjithë rastin,” shtoi ai.
Sulmi ndodhi rreth orës 16:00 pranë një kioske të sallamit në qendër të Villach, ku 23-vjeçari sirian papritur sulmoi kalimtarët me thikë, shkruan “Krone Zeitung”. Të gjitha viktimat janë burra. Dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje të rëndë.
Hetimi duhet të përcaktojë nëse sulmi ka ndonjë sfond terrorist.
“Mund ta shihni qartë duke qeshur në pamjet e arrestimit,” tha Dionisio.
Sulmuesi, i cili më parë nuk ishte i njohur për policinë, kishte me vete një kartë kërkuesi azili dhe raportohet se qëndronte në qendrën e pritjes Langauen. Dëshmitarët gjithashtu pohojnë se ai thirri “Allahu Akbar”.
“Ky krim i tmerrshëm duhet të ketë pasojat më të rënda! Unë gjithmonë e kam thënë qartë këtë. Çdo person që jeton në Austri duhet të respektojë ligjet dhe të përshtatet me rregullat dhe vlerat tona,” tha guvernatori i Karintisë, Peter Kaiser.
“Kushdo që nuk e bën këtë duhet të përballet me pasojat më të ashpra – të dalë para gjykatës, të burgoset dhe të dëbohet!”, shtoi ai.
Guvernatori gjithashtu shprehu ngushëllimet për familjen dhe viktimat: “Ngushëllimet e mia më të sinqerta, si guvernator dhe mbi të gjitha si prind, shkojnë për familjen e të riut të vrarë.”