Sezoni turistik në Santorini mbetet i pasigurt

Në Santorini, që nga 26 janari i këtij viti, janë regjistruar më shumë se 15,000 tërmete, me epiqendrat e tyre pranë ishullit, nën det. Disa prej tyre kanë qenë me magnitudë mbi pesë shkallë, ndërsa sizmologët paralajmërojnë se është i mundur edhe një tërmet me forcë gjashtë shkallë.
Ndërsa mbi 12,000 nga gjithsej 15,000 banorë e kanë braktisur Santorinin, frika për të ardhmen e turizmit po rritet. Turizmi është burimi kryesor i të ardhurave për këtë ishull, i cili çdo vit mirëpret më shumë se tre milionë vizitorë.
Muaji shkurt konsiderohet si fillimi jozyrtar i sezonit turistik në Santorini, pasi anijet e lundrimit fillojnë të mbërrijnë dhe nis përgatitja për Pashkët, kur ndodh vala e parë e turistëve të huaj për vitin.
Ndërsa disa biznese mikpritëse ende vazhdojnë aktivitetin e tyre, deri më tani është anuluar vetëm një lundrim, por ka edhe më pak rezervime për akomodim, tha për BBC Andonis Pagonis, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve Grekë. Santorini mbështetet kryesisht te punëtorët sezonalë nga pjesë të tjera të Greqisë dhe nga jashtë, por ende nuk dihet sa prej tyre do të vijnë këtë vit.
Përveç kësaj, kjo periudhë e vitit zakonisht shërben për punime ndërtimore dhe rinovime të hoteleve, por për shkak të frikës nga tërmetet, çdo aktivitet i tillë është pezulluar.
Ndërsa autoritetet greke kanë reaguar shpejt ndaj rrezikut të tërmeteve, duke dërguar ekipe shpëtimi dhe evakuimi si dhe duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të përshpejtuar ndihmën, banorët lokalë kërkojnë gjithashtu investime në infrastrukturën e ishullit. Dëmet në ndërtesa janë të vogla, por të rëndësishme, dhe një nga kërkesat kryesore është ndërtimi i një porti të ri.
Santorini kontribuon me 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Greqisë – rreth 5.9 miliardë euro.