Rrethrrotullimi i dyfishtë në Zagreb: Zgjidhje e pazakontë, a e dini si funksionon?

Rrethrrotullimi i dyfishtë është një zgjidhje e pazakontë, por mesa duket efikase për trafikun. Në Zagreb, rrethrrotullimi i parë i tillë u shfaq në fund të vitit 2023, në lagjen Trešnjevka, dhe së shpejti një tjetër nyje “problematike” do të zgjidhet me të njëjtën metodë.
Në lagjen Siget, në vendin ku aktualisht ndodhet kryqëzimi i dyfishtë i rrugës Radmanovačka, rrugës Siget dhe Parkut të Marinës Kroate, do të ndërtohet një rrethrrotullim i ri i dyfishtë.
Sipas autoriteteve të qytetit të Zagrebit, kjo zgjidhje pritet të rrisë rrjedhshmërinë e trafikut dhe të zvogëlojë numrin e aksidenteve, veçanërisht duke pasur parasysh që në afërsi ndodhet një shkollë.
“Rrethrrotullimi përbëhet nga katër hyrje dhe dy pika kryqëzimi që lidhin tre rrugë kryesore, çka kërkon një zgjidhje të veçantë teknike dhe të komunikacionit,” tha për gazetën Večernji list Krunoslav Tepeš, nga Sektori i Rrugëve në Zyrën e Qytetit për Rindërtim, Ndërtim, Planifikim Hapësinor dhe Shërbime Komunale.
“Të dy rrethrrotullimet do të jenë të ndërtuara në një formë të zgjatur. Korridori me gjerësinë maksimale do të jetë 11.70 metra, me një gjatësi totale prej 282.95 metrash, ndërsa zona e rikonstruksionit do të mbulojë një sipërfaqe prej rreth 4,200 metrash katrorë,” shtoi Tepeš.
Me këtë rregullim të ri, planifikohet gjithashtu kufizimi i shpejtësisë në 30 km/h.
Si ju duket juve rrethrrotullimi i dyfishtë?