Presidenti Begaj: Kosova duhet të integrohet në Këshillin e Evropës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti një delegacion të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Alain Berset. Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në 30 vitet e anëtarësimit të saj në këtë organizatë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Këshillin e Evropës në forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Presidenti Begaj theksoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe duhet të integrohet plotësisht në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Ai nënvizoi se Kosova është gjeografikisht pjesë e Evropës dhe populli i Kosovës meriton të jetë i integruar në organizatat evropiane për të kontribuar në paqe dhe siguri.
Gjatë bisedës, një nga temat kryesore ishte edhe takimi i Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025. Begaj dhe Berset diskutuan rëndësinë e këtij evenimenti për forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e rajonit në proceset evropiane.