Shqipëria bën histori në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore, pjesëmarrës për herë të parë

Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, që do të zhvillohen në Torino nga 7 deri më 16 mars 2025. Vendi ynë do të përfaqësohet nga 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale, të cilët do të garojnë në 3 disiplina dimërore: ski alpine, cross-country skiing dhe snowshoeing. Ky është një moment historik për sportin shqiptar, që thekson përpjekjet për integrimin dhe gjithëpërfshirjen në sport për të gjithë individët, pa dallim.
Në një ceremoni të veçantë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vlerësoi përkushtimin e sportistëve dhe mbështetjen e federatave dhe institucioneve që mundësuan këtë pjesëmarrje. Ajo theksoi se kjo pjesëmarrje është një dëshmi e fuqishme se sporti nuk njeh kufizime dhe se secili individ, pavarësisht sfidave, mund të arrijë sukses përmes pasionit dhe dedikimit.
Ministrja Manastirliu gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në sport dhe përpjekjet e qeverisë për të siguruar mbështetje të qëndrueshme për këtë kategori. Ajo tha se miratimi i projektligjit për ndryshimet në Ligjin e Sportit dhe krijimi i Komitetit Paralimpik Shqiptar janë hapa të rëndësishëm për të garantuar një të ardhme më të ndritshme për sportistët me aftësi të kufizuara.