| “Sot e bëmë një analizë të Detonitit, do të hyjmë me shumë seriozitet

Starti i mirë i gjysmësezonit pranveror në kampionat duhet të bartet edhe në Kupë ku Shkëndija të mërkurën kërkon kualifikim në gjysmëfinale. Kuqezinjtë në çerekfinale si mysafirë luajnë me Detonitin në Radovish në ndeshjen që do të vendos cila ekip kalon në mesin e 4 më të mirave në garën e Kupës. Para ndeshjes ka folur mbrojtësi i ri i Shkëndijës, Anes Meliqi, i cili pasqyron optimizmin e skuadrës para duelit me Detonit Pllaçkovicën.
Përballja Detoniti-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Radovish me fillim në orën 14:00.
…atmosfera…
Anes Meliqi: “Pas dy ndeshjeve dhe fitoreve shumë të rëndësishme tashmë jemi në vendin e parë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, shumë pozitive dhe brenda grupit mbizotëron një frymë goxha e mirë. Tani gjithë fokusi është te ndeshja e Kupës, të gjithë e dimë se Shkëndija është klub i madh me objektiva shumë të mëdha. Synimi kryesor mbetet titulli kampion, por çdo herë synojmë edhe Kupën, kështu që gjithë fokusi tani është për Detonit Pllaçkovicën për të cilët kemi shumë respekt. Do të hyjmë në fushë me shumë seriozitet dhe besoj se do ta kalojmë raundin.”
…respekt për Detonitin…
Anes Meliqi: “Po, patjetër. Sot e bëmë një analizë të Detonitit, do të hyjmë me shumë seriozitet. Edhe pse përballë kemi skuadër nga Liga e Dytë, ne shofim ekipe edhe në Evropë të cilat luajnë në Ligat e Dyta dhe eliminojnë skuadra të mëdha. Kështu që do të futemi në lojë me shumë seriozitet dhe besoj se do i’a dalim.”