A do të hapet tuneli i Murrizit deri në fund të këtij viti?!
Një ndër veprat më të mëdha dhe të rëndësishme të rrugës së Arbrit është tuneli i Murrizit, apo siç njihet tuneli numër 1. Kjo vepër, e cila ka nisur të ndërtohet prej 6 vitesh, ende nuk ka përfunduar. Deri tani afatet janë zgjatur disa herë, ndërsa është lajmëruar që do të përfundojë brenda vitit 2024.
Por pyetja që ngrihet natyrshëm është, a do të hapet vertetë për qarkullimin e automjeteve ky tunel deri me 31 dhjetor të këtij viti? Burime brenda kantierit të ndërtimit në thellësi të tunelit, thanë për Mat Televizion se është shumë e vështirë që kjo vepër të vihet në funksion të plotë deri në fund të 2024, për shkak të problemeve të ndryshme që shfaqen si pasojë e paqëndrueshmërisë së formacionit të tokës.
Por të njëjtat burime cituan se ekziston mundësia që për shkak të problematikave në tunelin kryesor të bëhet zgjerimi i tunelit të emergjencës. Por ky informacion është jo zyrtar dhe i pakonfirmuar. Nëse kjo do të vihet në zbatim, atëherë projektit të rrugës së Arbrit do t’i duhet një tjetër shtesë fondi.
Veç tunelit numër 1 që ka mbetur pa përfunduar, janë edhe segmentet e rrugës në Njësinë Administrative Xibër por edhe nga Shkalla e Tujanit deri në hyrje të tunelit në fshatin Bastar të Tiranës.