Aeroporti i Vlorës hap dyert për punësime në aviacion

Aeroporti i Vlorës hap dyert për punësime në aviacion
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për nisjen e operacioneve dhe ka hapur procesin e rekrutimit për 100 vende pune në pozicione të ndryshme të aviacionit. Kryeministri Edi Rama ka ftuar profesionistët të aplikojnë përmes faqes zyrtare të aeroportit.
Sipas zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, aeroporti do të ketë kapacitet për avionë të mëdhenj si Airbus 330 dhe Boeing 777. Investimi prej 104 milionë eurosh synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turizmin në jug të vendit.
Me një pistë 3.2 km dhe infrastrukturë moderne, aeroporti do të ofrojë akses të shpejtë drejt rivierës shqiptare. Fluturimet e para pritet të nisin në verën e vitit 2025.
Ky do të jetë aeroporti i tretë në Shqipëri dhe pritet të lehtësojë lëvizjen e pasagjerëve, duke shërbyer si një nyjë e rëndësishme lidhëse me destinacione ndërkombëtare.