Ai momenti i tmerrshëm, kur iu kyçet goja nga faktet
Nga Bledi Lumani
Përveç Monikës, Tedit, dhe atij sekretarit që Ilir Meta e përdorte si shofer, arrestimi i ish-presidentit ka tronditur dhe analistët e mbrëmjeve të vona.
Kanë që dje në darkë, që janë të shokuar, pse Ilir Metën e arrestuan duke e tërhequr zvarrë.
Me sa duket, prisnin që Ilirit t’i shkonin në zyrë me një tufë me lule dhe t’i kërkonin me mirësjellje që t’i ndiqte në Polici.
Vetëm se vjen një moment i tmerrshëm për ta dhe mediat ku punojnë, që ua kyç gojën.
Është ai momenti kur fillojnë dhe dalin faktet e dosjeve korruptive.
Aty ata fiken dhe pastaj njësoj si në këtë rast, merren jo po pse e tërhoqën zvarrë, jo po e kishin goditur pak në kokë, jo po ata socialistët i kanë arrestuar më me butësi etjera si këto.
Se pse e bëjnë ata këtë mbrojtje të neveritshme dhe këtë përpjekje për të devijuar debatin, për politikanin simbol të korrupsionit, kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar.
Është gjëja më e paktë që mund të bëjnë për të fundja, se ka vite që i “dorovit”.
Por këtij momentit nuk i shpëtojnë dot, provat, faktet, aferat korruptive, të cilat ata as guxojnë t’i shikojnë me sy, larg qoftë t’i botojnë apo t’i përmendin.
Ndaj mos u habisni fjala vjen, nëse sot në mbrëmje do të shihni ndonjë emision me titull “Si u rrëmbye Ilir Meta”, apo “Pse Edi Rama e do në burg Ilir Metën”, apo akoma më tej, “Si e paralajmëroi Edi Rama arrestimin e Ilir Metës”.
Vetëm asaj, dosjes me fakte, se si Ilir Meta kërkonte vetëm me një dorë 200 mijë euro, apo se si Monika Kryemadhi, vetëm për gjysëm ore harxhonte 12 mijë euro për rroba, apo si ka harxhuar qindra mijëra të tjera për të rregulluar buzët, vetullat, hundën, gjoksin e kështu me radhë, ata do t’i rrinë larg.
Por qajuani hallin dhe mos i merrni shumë seriozisht, as mos i urreni apo përçmoni! Nga halli e kanë dhe ata, nuk është e pakët ajo që u ka ndodhur!