Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot në Tetovë, priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri.
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Silvestri bashkëbiseduan për marrëveshjen e ohrit, zgjedhjet, reformat dhe sundimin e ligjit si dhe integrimin europian.
Kryetari Ahmeti theksoi që BDI dhe Fronti Europian ngadhnjyen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por ky vullnet i qytetarëve u injorua nga mandatari padrejtësisht.
Marrëveshja e Ohrit është garantues i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe i marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Cënimi i legjitimitetit zgjedhor, ndërhyrja tendencioze ndaj gjuhës shqipe, etnisë dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ndikon drejtëpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit.
Marrëveshja e Ohrit është e garantuar nga BE dhe SHBA, ndërsa pjesë e zbatimit kanë qenë edhe NATO dhe OSBE.
Edhe largimi nga perspektiva europiane po tensionon qytetarët dhe po rëndon situatën politike në vend.
Dialogu politik nëpërmjet të respektimit të legjitimitetit zgjedhor të përfaqësuesve legjitim të komuniteteve etnike duhet të rivendoset me zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor të vitit 2025.