Ali Ahmeti takon ambasadorin e Kosovës Qehaja: Anulimi i “Balancuesit” në funksion të politikës ditore të Qeverisë me legjitimitet monoetnik
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Qehaja diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe rajon
Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari Ali Ahmeti, zhvilloi takim pune me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja.
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Qehaja diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin europian, Marrëveshjen e Ohrit dhe për marrëdhëniet bilaterale midis Shkupit dhe Prishtinës.
Z. Ahmeti theksoi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në funksion të politikës ditore të Qeverisë me legjitimitet monoetnik dhe është në vazhdën e vendimeve që rëndojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe cënojnë Marrëveshjen e Ohrit, të garantuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Z. Ahmeti gjithashtu u shpreh i brengosur për distancimin e vendit nga integrimi europian dhe nga vlerat europiane dhe partneriteti ne SHBA-të.
Kryetari Ahmeti siguroi Ambasadorin e Kosovës që BDI do të vijojë të jetë tërësisht e angazhuar për ta integruar vendin në Bashkimin Europian dhe insiston në përshpejtim të procesit dhe zbatimit të obligimeve tona si shtet, në veçanti ndryshimet kushtetuese.
Në takim u diskutua për nevojën e zbatimit të kontrollit të përbashkët kufitar me Kosovën, proces ky i rrumbullakësuar administrativisht tashmë, në mënyrë që të evitohen rradhët e gjata në kufi dhe të lehtësohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.
Gjithashtu, dy kilometrat e para të autostradës nga Kosova drejt Shkupit janë përfunduar tërësisht dhe duhet të vihen në përdorim, ndërsa 10 kilometërshi vijues nuk duhet të pengohet dhe të përzgjidhet realizuesi i punimeve pa vonesa politike.
Ali Ahmeti nënvizoi që pajtimi i madh shqiptaro – serb duhet të arrihet nëpërmjet të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe kjo do të mundëson rajon stabil, të sigurt, në paqë dhe me perspektivë europiane.