Ariton Mehmedi me vetëm 17-vjet debuton me ekipin e parë të FC Shkupit

Debutimi i Ariton Mehmedit me skuadrën e parë të FC Shkupit është përjetuar me shumë emocione nga lojtari 17-të vjeçar. Në një prononcim, ai shprehet se ende nuk i besohet se ka arritur të veshë fanellën e parë të skuadrës së tij të zemrës, edhe atë në një ndeshje derbi, siç ishte ajo e sotmja kundër kampionëve të Struga Trim Lum.

“Unë jam shumë i kënaqur për debutimin që bëra sot dhe gjithnjë do të jap maksimumin për këtë fanellë, për FC Shkupin dhe grupin më të mirë të tifozëve ‘Shvercerat’”, – shprehet fillimisht Ariton Mehmedi, i cili shihet se është mjaft i emocionuar nga rasti i dhënë.

Ai thotë se sot plotësoi ëndërrën e tij të fëmijërisë.

“Sot mua më plotësua një ëndërr, që besoj se është ëndërr edhe e çdo lojtari që luajnë në Akademinë e FC Shkupit, që një ditë të debutojnë me fanellën e ekipit të parë” – thotë Mehmedi, i cili zbulon edhe një ëndërr tjetër, e që ka të bëjë me futbollin europian.

“Fillimisht do doja të luaja si titullarë te ekipi im i zemrës, FC Shkupi. Sinqerisht mezi pres të ndodh një gjë e tillë, ndërsa më pas të mendoj edhe për ëndërrën time tjetër, e që është futbolli europian. Dëshiroj që një ditë të luaj në Europë” – përfundoi intervistën e tij të parë Mehmedi, pasi tashmë sheh veten në mesin e ekipit të parë të FC Shkupit.

Talentin e tij, Ariton Mehmedi e kishte dëshmuar edhe para trajnerëve nga Akademia e FC Barcelona, Girona dhe Mallorca, që gjatë kësaj vere (muaji gusht) në Shkup kishin organizuar një kamp stërvitor. Pikërisht talenti i FC Shkupit ishte përzgjedhur në mesin e dy futbollistëve që aftësitë e tyre do t’i tregojnë në akademinë e klubit të La Ligës spanjolle, Girona, edhe atë nga data 8 deri me 14 dhjetor.

Kujtojmë, pjesë e Gironas, aktualisht është reprezentuesi i Maqedonisë, Bojan Miovski, i cili në të kaluarën kishte luajtur me Renovën, ashtu që shpresojmë që një rrugëtim të tillë të suksesshëm të ketë edhe Ariton Mehmedi, djaloshi shkupjan i lindur me 18 nëntor të vitit 2007.

Është kjo një pasqyrë e mirë e skuadrës tonë, që të ju jepet mundësia edhe talentëve të rinj, gjë të cilën që nga dita e parë e kishte paralajmëruar edhe pronari  i ri i FC Shkupit, Yasin Konyali, i cili kishte kërkuar nga Drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi, që në skuadrën e parë të transferonin edhe disa nga talentët e Akademisë tonë.

Është ky vetëm hapi i parë me një super talent si Ariton Mehmedi, ndërsa së shpejti pritet që skuadrës së parë ti bashkëngjiten edhe tjerë futbollistë nga Akademia.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights