ASH-Tetovë: Kasami të ndalojë fushatën e linçimit të qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje për mbeturinat
Bilall Kasami të ndalojë fushatën e linçimit të qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje për mbeturinat
Dënojmë ashpër praktikën e Komunës së Tetovës dhe kreut të saj, Bilall Kasami, që publikojnë fotografitë e qytetarëve të cilët hedhin mbetjet inerte në konterenjët publik ose vendet e tjera publike. Nuk arsyetojmë dhe jemi kundër ndotjes së ambientit dhe hapsirave publike, por njëkohësisht jemi edhe kundër anatemimit dhe diskreditimit publik të qytetarëve si në kohën e mesjetës kur bëheshin linçime dhe kryqëzime publike.
Komuna e Tetovës fillimisht duhet të sigurojë vend ku qytetarët do të mund të hedhin mbetjet inerte dhe të zgjidh këtë problem që i tangon edhe vetë qytetarët. Por, edhe përkundër kësaj, për qytetarët të cilët bëjnë shkelje të kësaj natyre, autoritetet komunale mund të shqiptojnë vetëm gjoba dhe jo të denigrojnë qytetarët publikisht. Dinjiteti dhe integriteti personal i çdo qyetari është i shenjtë dhe mbrohet me ligj dhe Kushtetutë dhe çdo qytetarë që është anatemuar në këtë mënyrë ka të drejtë të padisë Komunën e Tetovës dhe kërkojë dëmshpërblim përmes avokatit në procedurë gjyqësore.
– Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë –