ASH, Ziadin Sela: Njëjtë si në 2008, Qeveria largoi vendin nga BE dhe afrohet me Rusinë
Qeveria aktuale rriti retorikën nacionaliste dhe antiperëndimore, si dhe filloi koketimin me Sërbinë, Hungarinë dhe Rusinë
Njëjtë si në 2008, Qeveria largoi vendin nga BE dhe afrohet me Rusinë
Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM ka ndryshuar tërësisht rrugëtimim e vendit dhe për më pak se 100 ditë, ka arritur të largohet nga BE dhe të afrohet me Rusinë, përmes lidhjeve me Vuçiçin dhe Orbanin.
Sot Maqedonia e Veriut ndodhet në të njëjtën situatë si në vitin 2008, kur në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria mori ftesë për anëtarësim në NATO, ndërsa vendi hyri në izolim dhe procesi u vonua edhe për 10 vite të tjera. Anëtarësimi në Alencën Veri-Atlantike, u mundësua falë përkushtimit të gjitha forcave progresive, si në pushtet ashtu edhe në opozitë dhe arritjes së marrëveshjeve me fqinjët, pas çka filloi edhe debllokimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Në momentin kur pritej të realizohet vetëm hapi i fundit, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, Qeveria aktuale rriti retorikën nacionaliste dhe antiperëndimore, si dhe filloi koketimin me Sërbinë, Hungarinë dhe Rusinë.
Që në ditët e para të formimit të Qeverisë, u acaruan marrëdhëniet me të gjitha vendet e tjera fqinje, ndërsa vizitat e para u realizuan me Sërbinë dhe presidentin Vuçiç. Lidhjet me bllokun anti BE dhe anti NATO kulminuan me marrëveshjet e drejtëpërdrejta, kredinë dhe vizitën e presidentit Viktor Orban, i njohur për lidhjet e afërta me Rusinë dhe presidentin Putin.
E gjithë kjo ndodhi pikërisht në momentet kur u kumtua edhe lajmi se Shqipëria mund të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe të fillojë e vetme hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Kujtojmë se avanturat e këtilla rrezikojnë të ardhmen, izolimin e vendit dhe pasoja të rënda për qytetarët.
– Aleanca për Shqiptarët –