“Askush s’duhet të ketë frikë, por ligji do të veprojë” – Dumani për hetimin e krimeve zgjedhore

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, prezantoi sot strategjinë për parandalimin e krimeve zgjedhore në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet e 11 majit. Ai theksoi se SPAK ka detyrimin kushtetues për të ndjekur penalisht çdo rast të dyshuar dhe për të kryer hetimet e nevojshme për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.
Dumani siguroi se hetimet do të kryhen në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik, duke nënvizuar rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Ai shtoi se SPAK ka reflektuar rekomandimet e organizatave ndërkombëtare dhe të Kuvendit, duke miratuar një strategji transparente, e cila synon të adresojë shqetësimet kryesore mbi financimet joformale dhe hetimet e vonuara pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Sipas Dumanit, bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme do të forcohet për të siguruar trajtimin efikas të rasteve të krimit zgjedhor dhe për të shmangur konfliktet e kompetencave. Ai theksoi se SPAK është i përkushtuar që hetimet të kryhen në kohë reale, duke garantuar besueshmëri dhe transparencë në procesin zgjedhor.