Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) rikonfirmon përkushtimin e tij të palëkundur për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Ka ardhur koha për të përmbushur premtimet e bëra ndaj qytetarëve tanë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanl mbështetur rrugën Euro-Atlantike të vendit tonë. Zhvillimet e fundit, përfshirë edhe fillimin e afërt të negociatave me BE-në për Shqipërinë, tregojnë se dritarja për veprime vendimtare po ngushtohet.
Skadimi i afatit për ndryshimet kushtetuese është një moment kritik. Nuk ka më vend për vonesa, justifikime apo manipulime që do të pengojnë të pashmangshmen. Ndryshimet kushtetuese nuk janë thjesht një detyrim ligjor; ato janë një detyrim moral dhe strategjik që siguron që vendi ynë të mbetet në rrugën e integrimit evropian.
Koha për hezitim ka mbaruar.
Është e qartë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është brenda Bashkimit Evropian. Ne duhet të sigurohemi që veprimet tona pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe sakrificat e bëra për dekada për të siguruar një të ardhme demokratike dhe të begatë.
BDI mbetet e vendosur në pozicionin e saj: ndryshime kushtetuese tani! Përgjegjësia jonë nuk është vetëm ndaj votuesve tanë, por ndaj gjithë vendit. I bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vënë interesat e Maqedonisë së Veriut dhe të qytetarëve të saj në radhë të parë dhe të veprojnë në përputhje me aspiratat evropiane që na bashkojnë të gjithëve.
Afati ka kaluar, por përgjegjësia mbetet. Koha për përgjigje të qarta dhe veprime vendimtare është tani.