BDI: Shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri,
Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë.
Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve.
Në këtë kontekst, BDI dënon politikat e qeverisë që kanë për qëllim rrënimin e themeleve të barazisë dhe bashkëjetesës, duke i shndërruar këto tema në mjete politike për përçarje. Në vend që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.
BDI kërkon fuqimisht respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të çdo komuniteti në Maqedoninë e Veriut.
Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të politikave përçarëse.
Ftojmë në promovimin e dialogut dhe harmonisë.
E bëjmë të qartë se ky vendim nuk është i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh që po minojnë themelet e bashkëjetesës shumëetnike dhe shumëfetare në Maqedoninë e Veriut. Këto politika degradimi nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në të ardhmen evropiane të vendit.
BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të rishikojnë këtë vendim, në mënyrë që të ruajnë dhe promovojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një vlerë e patjetërsueshme që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga vendime të tilla të njëanshme dhe të pamatura.
Stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohen vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, barazisë dhe promovimit të bashkëjetesës.