Zhelinë – Në tubimin madhështor të mbajtur sonte në Zhelinë, kandidati për kryetar të Tetovës nga Koalicioni VLEN, Bilall Kasami, shpjegoi arsyet pse Blerim Sejdiu duhet të jetë sërish në krye të komunës së Zhelinës për një mandat të tretë.
Kasami tha se qytetarët e Zhelinës i kanë dhënë besimin Sejdiut për dy mandate dhe do ta bëjnë këtë edhe për të tretin, sepse ai ka dëshmuar me punë konkrete dhe projekte të prekshme.
“Pse Zhelina ka votuar dy mandate dhe do të votojë edhe të tretin për Blerimin? Sepse Blerimi, para se të nënçmojë të tjerët apo kundërshtarët, ka punuar për çdo vendbanim të komunës së Zhelinës, në projekte që i shfrytëzojnë të gjithë banorët,” – deklaroi Kasami.
Ai i bëri thirrje opozitës të dalë me programe konkrete dhe kandidatë që ofrojnë zgjidhje për shqiptarët, ndërsa theksoi se Zhelina ka edhe përkrahjen e pushtetit qendror për të vazhduar me projektet në interes të qytetarëve.
“Ky është modeli që ofrojmë në këto zgjedhje – ofrojmë bulevarde për fshatrat tona, shkolla, çerdhe dhe shtëpi të kulturës. Prandaj Blerimi do të zgjidhet edhe për një mandat në krye të Zhelinës,” – tha Kasami mes duartrokitjeve të të pranishmëve.