Buxheti i BE: Kush paguan dhe kush përfiton më shumë para?

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja janë donatorët kryesorë neto në buxhetin e BE, ndërsa vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë kryesisht përfitues neto, shkruan “Euronews Business”.

Buxheti i përbashkët pasqyron parimin e solidaritetit të BE-së, duke mundësuar zhvillim të konsiderueshëm në fusha të ndryshme brenda bllokut.

Kush paguan më shumë dhe kush merr më shumë?

“Vendet anëtare kontribuojnë në buxhetin e BE dhe gjithashtu marrin fonde nga ai. Disa vende përfundojnë si kontribuues neto, që do të thotë se paguajnë më shumë sesa marrin, ndërsa të tjera janë përfitues neto, duke marrë më shumë sesa kontribuojnë,” thekson portali.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Gjermania ka kontribuar me 33.8 miliardë euro në buxhetin e Bashkimit Evropian, Franca me 25.8 miliardë euro, Italia me 18.8 miliardë euro, dhe Spanja me 13.6 miliardë euro.

Në vitin 2023, nëntë shtete kontribuan më pak se një miliardë euro në buxhetin e BE-së, ndërsa kontributi më i vogël ishte nga Malta (112 milionë euro), Qipro (259 milionë euro) dhe Estonia (355 milionë euro).

Shtetet përfitues

Në mesin e përfituesve kryesorë, Polonia ishte në vendin e parë me 7.1 miliardë euro, së bashku me “katërshen e madhe” të BE-së. Pas Polonisë ishin Franca me 16.5 miliardë euro, Polonia me 14.1 miliardë euro, Gjermania me 14 miliardë euro, Italia me 12.8 miliardë euro dhe Spanja me 12.1 miliardë euro.

Në fund të listës, tri shtete morën më pak se një miliardë euro nga buxheti i BE-së: Malta (277 milionë euro), Qipro (393 milionë euro) dhe Sllovenia (952 milionë euro).

Përfitimet dhe kontributet për kokë banori

Kur merret parasysh kontributi dhe përfitimi neto për kokë banori, pamja ndryshon ndjeshëm për shkak të variacioneve të mëdha në madhësinë e popullsisë ndërmjet shteteve anëtare të BE-së.

Në vitin 2023, kontributet në buxhetin e BE-së për kokë banori varionin nga 137 euro në Bullgari deri në 688 euro në Luksemburg.

Për “katërshen e madhe”, çdo individ në Gjermani dha 403 euro. Pas Gjermanisë pasonin Franca me 378 euro, Italia me 318 euro dhe Spanja me 281 euro.

Përfituesit neto për kokë banori

Kur krahasohet kontributi neto për kokë banori, Holanda ishte në krye të listës në vitin 2023, me çdo banor të Holandës që dha 350 euro më shumë se sa mori. Pas Holandës ishin Irlanda me një kontribut neto prej 240 eurosh për kokë banori, pastaj Gjermania (235 euro), Danimarka (210 euro) dhe Suedia (156 euro). Ndërsa për “katërshen e madhe”, Franca pati kontributin më të vogël neto për kokë banori me vetëm 30 euro, Italia pati 101 euro dhe Spanja 137 euro.

Shtetet përfitues neto për kokë banori

Në fund të listës, shtetet që morën më shumë se sa dhanë për kokë banori ishin Luksemburgu dhe Belgjika. Luksemburgu, një ndër shtetet më të pasura të BE-së, ishte në krye me 3,081 euro për kokë banori, ndërsa Belgjika kishte një përfitim neto prej 404 eurosh për kokë banori, më të lartë se Bullgaria (299 euro) dhe Rumania (307 euro).

Në vitin 2023, shtetet anëtare të BE-së ranë dakord për një buxhet prej 186.6 miliardë euro.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights