Çmime të reja, më të larta për taksën turistike në Greqi
Çmimet e reja dhe më të larta të taksës për qëndrueshmëri ndaj krizave klimatike në objektet turistike në Greqi hyjnë në fuqi këtë vit, gjatë sezonit turistik nga prilli deri në tetor. Në varësi të llojit të akomodimit, taksa do të rritet nga gjysmë deri në pesë euro më shumë, raporton korrespondentja e MIA nga Athina.
Ndryshimet në çmime, si dhe futja e taksës së re për pasagjerët e kroçerave, u njoftuan nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në fillim të shtatorit në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut. Ndërsa, muajin e kaluar ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Greqisë dhe nga dje kanë hyrë në fuqi.
Sipas dispozitave ligjore që analizon MIA, nga prilli deri në tetor, për hotelet me një dhe dy yje, si dhe për dhomat me qira, taksa do të jetë dy euro krahasuar me një euro e gjysmë që ishte vitin e kaluar. Taksa për hotelet me tre yje do të rritet me dy euro (nga tre në pesë euro), për hotelet me katër yje taksa do të jetë dhjetë euro nga shtatë euro, dhe rritja më e madhe është për hotelet me pesë yje dhe vilat, ku do të paguhet një taksë prej 15 euro për natë, krahasuar me 10 euro më parë.
Periudha në të cilën aplikohej taksa e ulët (nëntor deri në shkurt) zgjatet për një muaj dhe përfshin marsin, ndërsa çmimet mbeten të pandryshuara.