Danmark do të investojë 2 miliardë dollarë për mbrojtjen e Arktikut
Këtë muaj, Trump tha se Grenlanda është e rëndësishme për sigurinë e SHBA dhe se Danimarka duhet të heqë dorë nga kontrolli i ishullit strategjik të Arktikut.
Pas më shumë se një dekade shkurtime drastike të shpenzimeve për mbrojtjen, Danimarka vitin e kaluar ndau 190 miliardë korona daneze (26 miliardë dollarë amerikanë) për ushtrinë e saj gjatë një periudhe 10-vjeçare, nga të cilat një pjesë tani është dedikuar për Arktikun.
Pavarësisht se Danimarka është përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e Grenlandës, ajo ka kapacitete ushtarake të kufizuara në këtë ishull të madh, i cili konsiderohet gjerësisht një lloj “vrimë të zezë të sigurisë”.
Aftësitë aktuale të Danimarkës përfshijnë katër anije të vjetra për inspektim, një aeroplan mbikëqyrës “Challenger” dhe 12 patrulla me sanikë dhe qentë, të gjitha të angazhuara për të monitoruar një zonë katër herë më të madhe se Franca.
Marrëveshja përfshin financimin për tre anije të reja të Marinës Arktike, dyfishimin e numrit të droneve të planifikuara me rreze të gjatë veprimi në katër, si dhe mbikëqyrje satelitore, tha ministri i mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, në një konferencë për media.
Partitë politike ranë dakord të ndajnë më shumë para për Arktikun në marrëveshjen që do të paraqitet në gjysmën e parë të vitit.
Ushtarakët amerikanë kanë një prani të përhershme në bazën Pituffik në pjesën veriperëndimore të Grenlandës, një vendndodhje strategjike për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketat balistike, duke pasur parasysh se ky ishull përfaqëson rrugën më të shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut.