Saturday, May 18, 2024
spot_img

Demokracia në Shqipëri ka armik vetë demokracinë

BEN ANDONI

Shqipëria është në një nga momentet më të rëndësishme të ndërtimit të demokracisë së saj, jo vetëm e thjesht sa i përket respektimit të kanoneve bazë të saj, por në atë që konsiderohet si humbje e besimit dhe mbi të gjitha, zhgënjimin publik për vetë demokracinë. Për vendet e ardhura nga regjimet totalitare, siç është ai yni, problemi shtohet për arsyen se krahasimi me një periudhë kohore të mëparshme demokratike mungon, ndërkohë që elitat e vendit, të cilat duhet të shërbenin për t’i dhënë një lloj fizionomie demokracisë shqiptare kanë dështuar. Shqipëria vlerësohet si një “demokraci me të meta” nga indeksi i vitit 2023, në publikimin e përvitshëm botuar prej “The Economist”. Sipas metodologjisë, vlerësimi midis 6 deri në 8 pikë u jepet vendeve me demokraci me të meta. Sipas klasifikimit, Shqipëria ka humbur 0.13 pikë nga vitit 2022 pas matjes së 5 komponentëve, duke marrë në total 6.28 pikë nga 6.41 të vitit në 2022. Ky rezultat e rendit Shqipëri në vendin e 66-të në botë duke humbur 2 vende në klasifikimin e të gjitha shteteve. Dhe, për fat të keq, vendi ynë ndodhet 2 pozicione më poshtë Serbisë, ku indikacioni më negativ i Shqipërisë (5 pikë) lidhet me… pjesëmarrjen politike. Të kujtojmë se: prej vitit 1974, kur në botë vepronin 39 demokraci elektorale, shtete me një sistem politik pluralist, ku zgjedhjet zhvilloheshin rregullisht, sot ka rreth 120 vende të tilla syresh, mes tyre edhe Shqipëria.

Po çfarë e bën shqetësuese udhën shqiptare dhe përballjen me demokracinë: Duket se është vetë demokracia, që u rri ngushtë liderëve të PS-së dhe PD-së, dy formacioneve kryesore (edhe pas ndarjes së PD-së, Berisha mbetet frymëzimi kryesor). Ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2008, që dakorduan PS dhe PD shndërruan sistemin zgjedhor në një të tillë proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Prej atëherë, Shqipëria është tashmë jo thjesht në duart e dy partive kryesore, por më së shumti të dy drejtuesve të tyre, Rama dhe Berisha. Qysh prej atëherë, roli i Berishës, Ramës, Bashës, Metës (i vetmi që e kundërshtoi 2008, por që përfitoi paq më vonë) ka qenë i plotë në formacionet e tyre, përveç zhvillimeve të fundit, që e ndanë PD-në në dy grupime. Argumentet: Të mjafton të shikosh asambletë e PSsë dhe kupton se fuqia e Ramës është e tillë, saqë e ka zbehur krejt demokracinë e partisë; Berisha e thërret me një fishkëllimë në rresht “Rithemelimin”; metodat gati autoritariste të emërimit të një pjesë të ministrave nga Rama e shtojnë argumentin; ardhja e një grupi të madh deputetësh jo vetëm pa identitet, por edhe me nivele të ulëta është pasojë sërish; largimi i Ekzekutivit me Legjislativin dhe humbjen e kontrollit të këtij të fundit; ashtu si edhe largimi i deputetëve me publikun tashmë janë evidente.

Por, ka një justifikim dhe kjo lidhet me gjendjen e përgjithshme të demokracisë së sotme dhe krizës që po has demokracia qoftë dhe në vendet më të kultivuara, sidomos atë të SHBA-ve. Publiku shqiptar i drejtuar nga komunizmi para ‘90 drejt një utopie dhe shprese pafund, gjithnjë është mësuar të presë dhe duket se kjo inerci ka qenë përshtatja edhe ndaj mungesave të sotme sistematike të demokracisë, si edhe premtimeve boshe të politikanëve. Është e habitshme dhe me këtë nivel varfërie, publiku e ka të vështirë të bëjë dallimet e duhura dhe “të zgjedhë”. Përllogaritjet e INSTAT-it bazuar tek anketa e të ardhurave dhe nivelit të jetesës zbulonin se treguesi i rrezikut të varfërisë ishte 20.6% në 2022, me një rënie prej 1.4% nga viti në vit. Por, edhe pse vihet re një përmirësim në shifra, sërish Shqipëria nuk ua kalon të dhënave të vendeve të Ballkanit, si dhe ruan një diferencë të dukshme nga mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 16.5% (Tch, 2024)!

“Demokracia është dhe do të jetë gjithmonë në një lloj krize, sepse vazhdimisht po e ridrejton vështrimin e qytetarëve nga një e tashme, pak a shumë e pakënaqshme drejt një të ardhmeje me mundësi ende të paplotësuara. Në këto kriza ka diçka që i përket çka është më e mira dhe më e dallueshme në demokraci. Meqenëse krizat nënvizojnë tollovinë e brendshme të shpresës dhe pakënaqësisë së demokracisë, duke theksuar një mungesë, që nuk do të plotësohet kurrë.

Kapaciteti për shpresë është kapaciteti i madh i demokracisë, i cili në rrethanat e duhura mund dhe duhet të ushqejë kapacitetet e tjera më specifike, të cilat mund të nxisin përmirësime në cilësinë demokratike”, – shkruhet nga O’Donell tek “The Perpetual Crisis of Democracy”, botuar tek “Journal of Democracy” ( 2007).

Po ku është kriza e vazhdueshme e cilët po e kthejnë pas demokracinë? Pse popuj si shqiptarët nuk reagojnë dhe elitat nuk bëjnë rotacionet e duhura? Në teori janë vetë projektet politike të papërshtatshme të liderëve dhe të forcave politike, që mbeten gjatë në fuqi dhe që bëjnë çmos të qëndrojnë në pushtet, të cilat e shkaktojnë problemin. Kosova, Shqipëria dhe Serbia nuk dallojnë shumë për sa i përket përballjes me opozitat e tyre, kurse Serbia me Shqipërinë edhe sa u përket zgjedhjeve që zhvillojnë.

Një studim i botuar në Carnegia, zbulon tri format e karakteristikave të atyre që vinë në pushtet dhe që sot po e kthejnë demokracinë pas. “Iliberalizmi i nxitur nga kritikat, autoritarizmi oportunist dhe revanshizmi me interesat e rrënjosura”, shkruante Thomas Carothers te “Understanding and Responding to Global Democratic Backsliding”. Rasti shqiptar lidhet me argumentin e dytë, kur autoritarët oportunistë vijnë në pushtet nëpërmjet thirrjeve politike konvencionale, por më vonë kthehen kundër demokracisë për hir të mbijetesës politike personale (Ibid).

Ndërkohë, që ne merrmi me shefat kryesorë të partive dhe zgjedhjet që krijojmë, problemi mbetet në zgjedhjen e njerëzve, që duhet të ishin realisht përfaqësuesit e vendit tonë. Ashtu si me kryetarët e partive të vogla, një grup i të cilëve i pandërruar prej dekadash në krye, që zakonisht bëjnë dhe tryeza para zgjedhore dhe fillimisht i bëjnë qesëndi PD-së, por që vegjetojnë dhe në fund i bashkohen trenit të PD-së.

Në një sistem maxhoritar, apo në një sistem më përfaqësues, partitë e tilla jo thjesht do të pushonin së ekzistuari, pasi nuk do kishin asnjë shpresë se do të arrinin të kalonin pragun, që mund të vihej, qoftë edhe sikur ky të ishte minimal. Është pikërisht sistemi zgjedhor dhe mënyra se çfarë bëhet në komisionin e tij dhe tashmë “nënkomisionin” që shikon një nga parimet kryesore të demokracisë, që goditet para syve tanë. Prej muajsh të tërë kemi një reformë zgjedhore, e cila nuk prodhon gati asgjë dhe me gjasë nuk do nxjerrë prodhim të mirë. Ndaj përfaqësimi i duhur i votës së popullit dhe përfaqësimi realisht i interesave të tij në organin më të lartë legjislativ dhe në organet vendimmarrëse të çdo niveli është dhe duhet të ishte imperativi më i madh demokratike i vendit. Por, me gjithë rekomandimin e herësit dhe atë të Diasporës prej Kushtetueses, duket se PS dhe PD, dy bajlozët e politikës, nuk do të ndryshojnë asgjë, duke i lënë qytetarët pa mundësi të duhura zgjedhjeje, pra, edhe pa mundësinë e përfaqësimit real të interesave e të vullnetit të tyre. Duket se mungesa e parimeve të demokracisë shqiptare nuk është nga zhvillimet dhe tendencat e sotme, porse nga mënyra si kemi vendosur ta bëjmë atë që e kritikojmë. Sot nuk të mbetet asgjë për diskutim, pasi partitë janë të mbushura me yesman dhe mbi të gjitha nuk kuptojnë realisht rolet e tyre. “Ky vend, kjo shoqëri dhe sfidat e sotme e të nesërme meritojnë më shumë respekt, reflektim, maturim dhe ndryshim cilësor. Jo vetëm procedural. Kuvendi mund dhe duhet të ndryshojë praktikë, të reflektojë përcaktimin kushtetues si përfaqësues i qytetarëve dhe standardet e duhura të përgjegjësisë”, citojmë politologun Krasniqin të ISP-së në shkrimin “A është demokracia vetëm procedurë?” (2021).

Në fakt asgjë, përveç faktit, që njerëzit të cilët bëjnë politikën tonë e kuptojnë demokracinë si privilegj, që u është dhënë (dhëntë zoti mos t’i japin atribute hyjnore) jo më kot, ashtu si një pjesë që janë të ngulur si shushunja nuk e kuptojnë se demokracia është sfidë dhe se demokracia e sfidon shpesh vetë demokracinë, nëse ajo nuk do të përmirësohet dhe respektohet. Por, rasti shqiptar ka “armik” vetë demokracinë. /Panorama/

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT