Departamenti i Shtetit: Maqedonia e Veriut ka menaxhuar me sukses kërcënimet terroriste në vitin 2023.
Në vitin 2023, Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të dukshëm në luftën kundër terrorizmit, duke harmonizuar dokumentet strategjike me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, duke forcuar kapacitetet për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të lidhura me terrorizmin, si dhe duke përmirësuar shkëmbimin e informacionit për parandalimin e radikalizimit të dhunshëm dhe integrimin e të kthyerve nga zonat e luftës, thuhet në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit për terrorizmin global.
Qeveria e Maqedonisë e miratoi në maj strategjitë kombëtare për kundërterrorizëm dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, të cilat përmbajnë plane veprimi për parandalimin e radikalizimit online, “ekstremizmin e djathtë”, integrimin e të kthyerve, nevojën për trajnime të specializuara për policinë dhe punonjësit socialë, dhe përditësimin e prioriteteve strategjike, përfshirë krijimin e një baze të dhënash për të kthyerit. Maqedonia bashkëpunoi me përpjekjet e SHBA-së për kundërterrorizëm, përfshirë detektimin e hershëm.
Raporti gjithashtu thekson se kërcënimet kryesore terroriste në vend janë të lidhura kryesisht me “luftëtarët e huaj të kthyera nga Siria dhe Iraku, si dhe me terrorizmin ekstremist vendor.”
Komiteti Kombëtar për Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit vlerësoi se 143 qytetarë të Maqedonisë (përfshirë fëmijët) udhëtuan ose u përpoqën të udhëtojnë për në Siri ose Irak për t’iu bashkuar grupeve terroriste vitet e kaluara. Nga këta 143 të rritur (133 burra, 10 gra), besohet se vetëm katër kanë mbetur në një kamp refugjatësh në verilindje të Sirisë. Deri në fund të vitit 2023, Maqedonia ka riatdhesuar 19 refugjatë dhe 11 qytetarë të ndaluar nga veriu i Sirisë. Autoritetet maqedonase e vlerësuan nivelin e kërcënimit terrorist si “mesatar”, duke marrë parasysh luftën në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe praninë e ish-anëtarëve dhe simpatizuesve të “Shtetit Islamik.”
Në vitin 2023, nuk u raportuan incidente terroriste në vend.
Në lidhje me kornizën ligjore, theksohet se ajo mundëson ndjekjen penale të personave të dyshuar dhe bashkëpunëtorëve në aktivitete terroriste ose individëve që marrin pjesë në luftëra të huaja. Dënimet për krimet e lidhura me terrorizmin janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara dhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ministria e Drejtësisë e SHBA-së ofroi mentorim dhe dëshmi nga terreni për çështjet që trajtonin prokurorët dhe hetuesit.
Gjithashtu, Maqedonia është anëtare e MONEYVAL dhe Njësia e saj e Inteligjencës Financiare është anëtare e grupit Egmont. Në vitin 2023, kjo njësitë dorëzoi gjashtë raporte për dyshime për financimin e terrorizmit te autoritetet përkatëse. Vendi vazhdoi të merrte pjesë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor për kundërterrorizëm dhe forcimin e bashkëpunimit me Europol dhe Eurojust.