Do të ndërtohet rruga Bukojçan – Kërçovë për lidhje të plotë me Ohërin dhe Strugën

„Arritëm të sigurojmë një kredi mjaft të favorshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlera e parashikuar e këtij autostrade është rreth 123 milionë euro. Ajo që më gëzon veçanërisht është se arritëm të sigurojmë një grant prej 20 milionë eurosh nga banka, që nuk është gjë e vogël – bëhet fjalë për rreth 20% të vlerës totale të autostradës. Aktualisht po zhvillohet para-kualifikimi, dhe pres që gjatë pranverës ose verës të zgjidhet kontraktori, dhe në fund të vitit 2028 ose fillim të vitit 2029, kur do të përfundojë seksioni Tetovë – Gostivar – Bukojçan, të përfundojë edhe segmenti Kërçovë – Bukojçan. Ndërsa më parë, deri në fund të vitit të ardhshëm, do të jetë gati edhe Kërçovë – Ohër, duke e bërë kështu lidhjen e plotë të rrjetit. Kjo është autostrada e parë krejtësisht e re që e fillojmë si qeveri,“ deklaroi Nikolloski në një intervistë për Sitel.

Ai shpjegoi se e gjithë pjesa Bukojçan – Kërçovë, së bashku me nyjen e lidhjes, ka një gjatësi prej 12.7 km, ku parashikohet ndërtimi i disa urave, viadukteve dhe një tuneli. Sipas tij, terreni është mjaft sfidues dhe është pjesa më e vështirë nga ana inxhinierike për t’u ndërtuar.

Sa i përket lidhjes hekurudhore të Korridorit 8, ai tha se është përfunduar segmenti i parë prej 31 km nga Kumanova në Bellakovcë, ndërsa aktualisht punohet në segmentin e dytë prej 34 km nga Bellakovca deri në hyrje të Kriva Pallankës. Ai shprehu shpresën se shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i segmentit të tretë, pasi të arrihet marrëveshja me Qeverinë Bullgare për tunelin që do të ndërtohet bashkërisht.

„Më vjen mirë që më në fund debati është zhvendosur në nivel teknik dhe jo politik. Verën e kaluar, dola hapur me problemet që kishte ky projekt dhe ato ishin thjesht çështje teknike. Për fat të keq, Bullgaria ishte në fushatë zgjedhore dhe kjo u keqpërdor politikisht. Pasi u qetësuan tensionet, të gjithë e kuptuan se kishim pasur të drejtë. Tre gjërat për të cilat flisnim rezultuan të sakta – që duhet të kemi një tunel që e lidh plotësisht, jo një që ndalet në mes, që Bullgaria duhet të realizojë pjesën e saj të hekurudhës dhe të rinovojë seksionin ekzistues, dhe se ne duhet të rishikojmë koston, sepse është e pamundur që çmimi të jetë kaq i lartë,“ deklaroi ministri Nikolloski.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights