Dy ish-ministra të bujqësisë në Malin e Zi janë arrestuar
Dy ish-ministra të bujqësisë në Malin e Zi, Milutin Simović dhe Petar Ivanović, janë arrestuar të premten nga anëtarët e Njësisë së Posaçme të Policisë (SPO), sipas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme të Shtetit për Krimin e Organizuar, raportuan mediat në Podgoricë.
Ish-ministrat për bujqësi dhe zhvillim rural, Petar Ivanović dhe Milutin Simović, ish-sekretari i shtetit Nemanja Katnić dhe ish-drejtori i Shërbimit të Financave, janë arrestuar për pagesa të paligjshme nga buxheti i bujqësisë, të cilat, sipas Prokurorisë së Posaçme të Shtetit, dyshohet se kanë shkaktuar dëme për shtetin prej 300,000 eurosh.
Në kallëzimin penal të Njësisë së Posaçme të Policisë përfshihet gjithashtu një ministër tjetër i bujqësisë dhe zhvillimit rural, Budimir Mugoša.
Nga 2016 deri në 2020, Milutin Simović ka qenë ministër për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe zëvendëspresident i qeverisë malazeze në kohën kur Duško Marković ishte kryeministër. Petar Ivanović ka qenë ministër i bujqësisë dhe zhvillimit rural nga 2012 deri në 2016 dhe më pas deputet. Nga 2018 deri në 2023 ka qenë këshilltar ekonomik i ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Đukanović.
Ivanović është arrestuar në shtëpinë e tij në Podgoricë, dhe policia aktualisht po kontrollon vilat, pasuritë dhe vreshtat në pronësinë e tij.
Në të njëjtën aksion është arrestuar edhe ish-sekretari i shtetit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nemanja Katnić.
Më herët, Gjykata e Lartë në Podgoricë ka konfirmuar akuzën kundër Ivanović për aferën me fondin Abu Dabi, në të cilën ai është akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në vitin 2015, Fondi i Zhvillimit i Abu Dhabit, një agjenci shtetërore nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ofroi një huatë prej 50 milionë dollarësh për të stimuluar bujqësinë në veri të Malit të Zi. Prokuroria e Posaçme e Shtetit akuzon Ivanović për mashtrime në shpërndarjen e atyre parave. Prokuroria e Posaçme e Shtetit ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për këtë rast.