Monday, May 20, 2024
spot_img

Emra të rinj dhe të vjetër, këto janë deputetët që kanë siguruar ulëse në Kuvend

Emra të vjetër dhe të njohur, por edhe të rinj të panjohur, duke pasur parasysh numrin e madh të mandateve të fituara nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE “Maqedonia juaj”, liderët e LSDM-së, që pësuan një disfatë katastrofike, emra relativisht të rinj nga “Fronti Europian” i udhëhequr nga BDI si dhe koalicioni i bashkuar shqiptar “VLEN”, si dhe personazhe pothuajse tërësisht të reja si nga Levica ashtu edhe nga ZNAM, do të jenë në përbërjen e re të Kuvendit.

Pozitat më të larta në listat e VMRO-DPMNE i mbajnë kuadro të njohur të partisë, ndërsa në LSDM thuajse nuk ka emra të rinj, ndërsa risia është se zëvendëskryeministri i mëparshëm për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, nuk ka siguruar ulëse në Kuvend, përcjell Nistori.

Fatmir Limani hyn në Kuvend si kandidat i “VLEN”, në Kuvend rikthehet Vesna Bendevska, por kësaj radhe nga ZNAM, kurse Dimitar Apasiev dhe Borislav Krmov nga “Levica” do të përforcohen me tre deputetë të tjerë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare, sipas të dhënave mbi 99% të përpunuara, Koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate parlamentare, Koalicioni “Fronti Europian”, është e dyta me 19 mandate të fituara, Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane i LSDM-së fitoi një mandat më pak (18), Koalicioni “VLEN” fitoi 13 mandate, ndërsa “Levica” dhe ZNAM fituan nga gjashtë mandate.

Në njësinë e parë zgjedhore, rajoni i Shkupit, LSDM fitoi tre mandate, VMRO-DPMNE, 10 mandate, BDI me partnerët e saj, VLEN dhe “Levica” nga dy mandate, ndërsa një mandat ZNAM.

Pra vend në Kuvend nga koalicioni i LSDM-së siguruan lideri i partisë, Dimitar Kovaçevski, kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova dhe Daniela Nikolova.

Mariçiq ishte i katërti në listë dhe nuk siguroi hyrjen në Kuvend. Dhjetë deputetë fituan nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe në këtë numër janë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Gordana Dimitrieska Koçoska, Ljupço Dimovski nga Partia Socialiste, i cili ka vite në Kuvend, Sinisha Stojanoski, Beti Stamenkoska-Trajkoska, Toni Jarevski, Ivan Zhivkovski, djali i profesoreshës Rodna Zhivkovska, Ljupço Prenzov i ardhur nga GROM, zëdhënësja e mëparshme e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva dhe Ivanka Vasilevska.

Në Kuvend hyjnë edhe kryetari i Sarajit nga radhët e BDI-së, Blerim Bexheti dhe Ilir Hassani, i cili ishte zëvendës i Venko Filipçes në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga koalicioni “VLEN”, mandatin e siguruan kreu i LD-së, Izet Mexhiti dhe ish-ministri i Shëndetësisë nga Alternativa, Bekim Sali. Nga ZNAM dhe “Levica” në Kuvend hyjnë Boban Krapejovski, Dimitar Apasiev dhe Rexhep Ismaili.

Në njësinë e dytë zgjedhore, rajonin e Kumanovës, mandatin e siguruan ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe Fatmir Bytyqi, të cilët dje dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të LSDM-së.

Në këtë njësi zgjedhore VMRO fitoi tetë mandate parlamentare, përkatësisht Vlado Misajlovski, nënkryetar i partisë, Zhaklina Peshevska, Ivan Stoiljkovic nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, Boban Nikolovski, Bojan Stojanoski, Karolina Naskovska, Zoran Kocevski, Brane Petrushevski dhe Diana Ilieva.

BDI-në nga kjo njësi zgjedhore do ta përfaqësojnë Sadula Duraku nga Likova i njohur si “Komandant Ventili” dhe Skënder Rexhepi i cili formoi parti të veten.

Amar Meçinoviq nga “Levica”, nga “VLEN” janë lideri i Alternativës, Afrim Gashi, si dhe Rijad Shaqiri dhe Merita Kolçi Koxhaxhiku. ZNAM ka dy mandate dhe të parët në listë janë Daniel Stojçevski dhe Daniela Belimova.

Në njësinë e tretë zgjedhore Fronti Evropian dhe “VLEN” nuk fituan mandate. Partitë shqiptare nuk fituan mandate as në zonën e katërt zgjedhore.

Në njësinë e pestë, rajoni i Strugës, LSDM ka tre mandate, kështu që në Kuvend mbeten kryeparlamentari aktual Jovan Mitreski, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska dhe Mitko Trajçulevski.

VMRO ka dhjetë mandate në këtë njësi, andaj në Kuvend hyjnë Gjorgija Sajkoski, Ollga Lozanovska, Sasho Donev, Pece Milevski, Jovan Jauleski, Lidija Petkoska, Mevmed Xhaferi, Kire Bojinovski, Silvana Angelevska dhe Gracia Bakraçeska.

BDI së bashku me Ziadin Selën fituan katër mandate. Kështu Sela, Musa Xhaferin, zyrtar i lartë i BDI-së i cili dikur mbante poste të larta qeveritare, Arbana Pasholi dhe Ismail Jahoski do të jenë në Kuvend si përfaqësues të Frontit Europian.

Koalicioni “VLEN” fitoi vetëm një mandat dhe ai është për Salim Sulejmanin. “Levica” do të përfaqësohet Jovana Mojsoskën, ndërsa Bendevska kthehet në Kuvend përmes ZNAM-it.

Në njësinë e gjashtë, rajoni i Pollogut, në Kuvend nga LSDM do të hyjnë vetëm ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovsk. Nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni Dafina Stojanovska, Aleksandar Veljanovski dhe Valentina Mirçevska.

Nëntë mandate i ka fituar BDI-ja dhe nëntë të parët në listë janë kreu Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Ilire Dauti, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, Rina Aidari, Ilir Demiri, ministri aktual i Shëndetësisë, ish-gjyqtari kushtetues Sali Murati dhe Fatmire Isaki.

Koalicioni VLEN në njësinë e gjashtë zgjedhore në Kuvend do të merr pjesë me Bilall Kasamin, Bekim Qokun, Mimoza Musa, Halil Snopçe, Fatmir Limani, Saranda Imeri-Stafai dhe Sadik Sulejmani.

Megjithatë këto janë rezultate fillestare dhe mund të ketë ndryshime në mandatet e deputetëve nëse merret parasysh se disa nga deputetët e partive që do të hyjnë në koalicionin qeveritar mund të marrin poste ministrore./Nistori/

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT