Flick: E mundëm njërin prej ekipeve më të mirë në botë, por nuk mund të luajmë gjithmonë kështu
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pas fitimit të trofeut të tij të parë si drejtues i stolit të katalanasve, theksoi se është i lumtur që kanë luajtur dhe fituar si ekip.
Për Flick, kjo ishte finalja e tij e gjashtë si trajner dhe fitorja e gjashtë.
“Ndeshja që e luajtëm këtë vjeshtë në Madrid na dha besim se mund të fitojmë në këtë ndeshje dhe këtë e treguam duke iu përgjigjur pavarësisht golit të tyre të parë. Duhet të mësojmë nga çdo ndeshje. Ende mund t’i përmirësojmë gjërat, kemi një ekip të ri. Javët e fundit nuk kemi luajtur mirë. Situata në Ligë nuk është e mirë, por kemi biseduar për këtë në dhomën e zhveshjes. E mundëm njërin prej ekipeve më të mirë në botë dhe fituam trofeun. Jemi të lumtur. Duam të fitojmë çdo ndeshje dhe do të përpiqemi ta bëjmë këtë nëse është e mundur”, tha Flick.
Gjermani ishte i kënaqur që vepruan si ekip.
“Për mua është e rëndësishme se si luajmë. Nuk do të mund të luajmë gjithmonë si sot, por duhet të veprojmë si ekip. E ulëm numrin e gabimeve, dhe kur e kontrollojmë lojën, është më e lehtë. Objektivat e klubeve të mëdha janë trofetë”, shtoi Flick.