Futbollistët e Struga Trim Lum të ftuar në ekipet përfaqësuese
Tre futbollistë të Struga Trim Lum do të jenë pjesë e përfaqësueseve të vendit këtë javë…
Një tjetër pushim ndërkombëtar është afër, ashtu që Struga Trim Lum nuk do të ketë ndeshje për dy javët e ardhshme. Në ndërkohë tre futbollistë të skuadrës tonë, si Bojan Ilievski, Shaban Zenku dhe Bekim Kamberi, do të jenë të angazhuar me ekipet përfaqësuese të vendit.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Bojan Ilievski, është ftuar nga përfaqësuesja A e vendit, që këtë muaj do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve – Liga “C”.
Ilievski është ftuar nga Bllagoja Milevski për ndeshjet kundër Letonisë me 14 nëntor dhe Ishujve Faroe me datë 17. Që të dy ndeshjet, përfaqësuesja futbollistike e vendit do ti zhvillojë në Shkup.
Është kjo hera e dytë që Ilievski ftohet nga Milevski te përfaqësuesja A e Maqedonisë, pasi i njëjti ishte grumbulluar edhe dy vite më parë.
Shaban Zenku dhe Bekim Kamberi kanë marrë sërish ftesë nga Dragan Kanatllarovski për të përfaqësuar shpresat e vendit, këtë herë në ndeshje me karakter miqësor.
Maqedonia U21 me datat 14 he 17 nëntor ka caktuar dy miqësore me përfaqësuesen U21 të Kosovës. Që të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin Petar Milloshevski pranë FFM-së, aty ku shansin për të dëshmuar cilësitë e tyre do të presin edhe dy futbollistët tanë, Zenku dhe Kamberi.
Ky i fundit në ndeshjet e tetorit, të vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2025, kishte kontribuar me një gol të shënuar në ndeshjen ndaj Moldavisë.