Gjukanoviq për krimin në Cetinje: Ndërsa mbanin konferenca të panevojshme për shtyp, vrasësi po shëtiste pas shpinës së tyre
Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, deklaroi se krimi që ndodhi në Cetinje është një ngjarje që në mënyrë tronditëse, për fat të keq, edhe një herë konfirmon se shoqëria malazeze është në kushte të një krize të thellë dhe se siguria e çdo qytetari, çdo fëmije është e rrezikuar.
Në një postim në profilin e tij në rrjetin social X, Gjukanoviq thekson se “ndërsa drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të policisë mbanin konferenca të ngathëta për shtyp, vrasësi praktikisht ishte pas shpinës së tyre dhe vazhdonte fushatën e tij të përgjakshme”.
Ai gjithashtu theksoi se, si shumë të tjera, informacionet për atë që kishte ndodhur në Cetinje i kishte marrë nga mediat rajonale.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave të këtij krimi të pakuptimtë që ndodhi mbrëmë në Cetinje dhe shpreh ngushëllimet e mia më të thella. Ndaj dhimbjen me qytetarët e kryeqytetit dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në Mal të Zi. Kjo është një tragjedi e madhe, ndërsa plagët nga ajo që ndodhi më pak se dy vjet e gjysmë më parë në Cetinje ende nuk janë shëruar – tepër edhe për qytete dhe vende shumë më të mëdha, e lëre më për Cetinjen dhe Malin e Zi.”