Gjykata e Bosnjës lëshon urdhër-arrest për Dodikun, Stevandiqin dhe Vishkoviqin

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka lëshuar urdhër për arrestimin dhe shpalljen në kërkim të Milorad Dodikut, Nenad Stevandiqit dhe Radovan Vishkoviqit, të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues të vendit. Dokumentet e siguruara nga mediat zbulojnë se për ekzekutimin e urdhrit është kërkuar edhe asistenca e misionit EUFOR, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të situatës.
Në vendimin e saj, Gjykata argumenton se për shkak të pozicionit të lartë politik të të dyshuarve dhe mbështetjes së tyre nga Ministria e Brendshme e Republika Srpska, ekziston mundësia e rezistencës me forcë gjatë arrestimit. Për këtë arsye, EUFOR është thirrur si forcë stabilizuese, duke u bazuar në mandatin e tij të përcaktuar nga Marrëveshja e Daytonit dhe rezolutat e OKB-së.
Gjykata thekson se veprimet e Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij përmes miratimit të ligjeve kundërkushtetuese përbëjnë një kërcënim serioz për integritetin dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës. Po ashtu, në vendim theksohet se asistenca e EUFOR-it është e domosdoshme për të parandaluar çdo tentativë destabilizimi apo pengimi të operacionit të arrestimit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata i referohet Marrëveshjes së Daytonit dhe Rezolutës 1575/04 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i jep EUFOR-it kompetencën për të ndërhyrë, përfshirë edhe përdorimin e forcës, në rast se kërcënohet stabiliteti i vendit.