Grubi nga mediat mori vesh se është në listën e zezë të SHBA-së

„Në mungesë të informacionit të detajuar, mora vesh nga mediat për vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së“ shkroi ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi në rrjetet sociale lidhur me vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për ta vendosur në listën e zezë.

Grubi thotë se gjithë jetën e tij publike e ka dedikuar për mbrojtjen e vlerave demokratike perëndimore dhe gjithmonë ka punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe për këtë arsye ky vendim e ka prekur drejtpërdrejt dhe personalisht.

„Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe kemi punuar për vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, që të sqarojmë plotësisht këtë çështje“ thotë Grubi.

Ai shton se transparenca dhe angazhimi për vlerat demokratike do të mbeten edhe më tej shtylla kryesore e çdo veprimi të tij.

Grubi u vendos në listën e zezë së bashku me gjyqtarin e Gjykatës Apelit, Enver Bejeti për shkak të korrupsionit lidhur me një çështje gjyqësore të lidhur me Sasho Mijalkov.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights