Haziri: LDK do të vazhdojë mbikëqyrjen e buxhetit dhe angazhimin për qytetarët

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka mbajtur një konferencë për media ku ka paraqitur qëndrimet e partisë për zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal. Ai falënderoi strukturat e partisë, komisionerët dhe vëzhguesit për kontributin e dhënë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit, që është ende në fazën e tretë të certifikimit.
Haziri gjithashtu njoftoi se më 4 mars, LDK do të shënojë 35-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, duke i nderuar veprimtarët, aktivistët dhe funksionarët e deritanishëm, veçanërisht ata që nuk janë më në mesin tonë. Ky përvjetor do të kremtohet në Sallën “Zija Shemsiu” në Përlepnicë, në orën 14:00.
Në lidhje me aktivitete të fundit, Haziri vlerësoi se grupi i këshilltarëve të LDK-së ka treguar konstruktivitet të madh, duke miratuar buxhetin për qytetarët dhe punonjësit e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit. Ai shtoi se LDK dhe partitë opozitare janë fokusuar në interesin e qytetarëve, ndërsa akuzoi kryetarin e ekzekutivit, Alban Hyseni, për keqadministrimin e qytetit.
Haziri kërkoi që buxheti të implementohet në tërësi dhe jo selektivisht, duke theksuar angazhimin e LDK-së për mbikëqyrjen e tij dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.