IDRIS EF. IDRIZI DEKOROHET NGA KOMISIONI PËR MARRËDHËNIE MES BASHKËSIVE FETARE DHE GRUPEVE RELIGJIOZE PËR KONTRIBUTIN E TIJ NË SHPJEGIMIN E VLERAVE FETARE ISLAME

Më 03.12.2024 Komisioni për marrëdhënie mes bashkësive fetare dhe grupve religjioze i udhëhequr nga drejtoresha z-nja. Olivera Trajkovska mbajti solemnitet me rastin e fundvitit, ku prezantuan Kryetarët e Bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë, mes të cilëve edhe Reisul Ulema, H. Hfz. SHaqir Ef. Fetai. Reisul Ulemanë në këtë solemnitet e shoqëruan , krerët e Muftinive, sekretari i përgjithshëm, Irsal Ef. Jakupi, shefi i kabinetit të Reisit, drejtori i medresesë dhe drejtorët e Rijasetit të BFI-së.
Të ftuar në këtë solemnitet ishin edhe shumë personalitete të jetës fetare dhe shoqërore, mes të cilëve edhe presidentja e shtetit, z-nja Gordana Siljanovska Davkova. Me këtë rast për kontributin fetar si dhe në sferën e harmonisë fetare u dekoruan personalitete të zgjedhura, mes të cilëve edhe Idris Ef. Idrizi si përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame. Idris ef. Idrizi gjatë kohës që ka qenë aktiv, ka organizuar dhe udhëhequr aktivitete fetare në kuadër të Muftinisë së Tetovës, ka mbajtur ligjërata, seminare dhe tribuna në xhami dhe institucione të ndryshme. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, Idris ef. Idrizi emërohet nga Rijaseti i Bashkësisë Islame në komisionin për hartimin e Kushtetutës së Bashkësisë Islame.
Me iniciativën e Idris ef. Idrizit, në vitin 1992 u arrit një marrëveshje me Ministrin e Haxhit të Arabisë Saudite në Rijad për dërgimin e 2000 haxhinjve nga Maqedonia. Gjithashtu, në vitin 1992, Idris ef. Idrizi mori pjesë në një kongres ndërkombëtar të organizuar nga Papa i Vatikanit me titull “Lutja për Paqe”, i cili u mbajt në qytetin e Asisit në Itali, dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të mbi 150 shteteve. Në vitin 1994, me autorizimin e Rijasetit të Bashkësisë Islame, Idris ef. Idrizi dorëzoi një projekt për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Islame në Bankën Islame për Zhvillim në Xhede, ku kërkesa e tij për financimin e 25% të shumës për ndërtimin e Fakultetit u pranua. Idris ef. Idrizi ka marrë pjesë në shumë kongrese ndërkombëtare me karakter të lartë në botën arabe dhe më gjerë. Po ashtu, ai ka kontribuar në shkrime fetare, të cilat janë botuar në revista të ndryshme, përfshirë në revistën “Hëna e Re”, e cila botohet nga Bashkësia Islame e RMV.
Në këtë solemnitet foli edhe presidentja e shtetit z-nja Gordana Siljanovska Davkova e cila tha se Maqedonia është vend multikonfesional dhe multietnik, dhe si i tillë gjithmonë ka ditur të kultivojë vlera dhe se respekti i ndërsjellë mes të gjitha komuniteteve është një vlerë që e kemi trashëguar nga brezat e parë dhe këtë duhet ta vazhdojmë edhe më tej, sidomos tani kur më së shumti kemi nevojë. Dëshmi për këtë është prania e krerëve më të lartë fetarë të vendit, duke filluar nga kreu i KOM. Z. Stefani dhe Reisul Ulema, H. Hfz Shaqir Ef. Fetai dhe liderët tjerë me bashkëpunëtorët e tyre.
Drejtoresha e Komisionit, z-nja Olivera Trajkovska në fjalën e saj tha se kur e sheh këtë sallë të mbushur përplot, nga gjitha komunitetet fetare dhe kombëtare, e sheh Maqedoninë në miniaturë. Të gjithë këtu jemi bashkë për të madhëruar Zotin, jemi të gjithë për paqe e dashuri. Ne si besimtarë të gjithë jemi të vetëdijshëm për shenjtërinë e paqes dhe lirisë, prandaj duhet t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë ato, përfundoi Trajkovska.
Në këtë solemnitet, krahas koreve të KOM dhe bashkësive tjera, mori pjesë edhe kori i BFI-së i udhëhequr nga maestro Eljesa Asani i cili u prezantua me ilahinë, Kemi ardhur n’kët dunja interpretuar edhe në tre gjuhë tjera, maqedonisht, turqisht dhe anglisht.
Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai në emër të Rijasetit dhe BFI-së i shpreh urime Idris Ef. IDrizit dhe i dëshiron shëndet dhe gjitha të mirat në jetë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights