Ilievski, Zenku dhe Kamberi me ekipet përfaqësuese të vendit
Tre futbollistë të Struga Trim Lum, javën që kaloi ishin pjesë e ekipeve përfaqësuese të vendit. Më poshtë ju njohim me minutazhin e tyre dhe rezultatet e arritura.
BOJAN ILIEVSKI DEBUTOI ME EKIPIN “A” PËRFAQËSUES TË MAQEDONISË
Bojan Ilievski ishte ftuar nga Bllagoja Milevski për ndeshjet e nëntorit, derisa i njëjti debutoi në ndeshjen e dytë, atë kundër Ishujve Faroe. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Struga Trim Lum mungoi ndaj Letonisë, ndërsa kundër Ishujve Faroe u paraqit që nga minuta e parë, për tu zëvendësuar në minutën e 54-të nga Ashkovski.
Kështu Ilievski kontribuoi në fitoren 1:0 të Maqedonisë, skuadër kjo që me po të njëjtin rezultat mundi edhe Letoninë, duke e mbyllur grupin në pozitën e parë në kuadër të Ligës “C” të Kombeve.
Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për Maqedoninë, që edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën “B”.
ZENKU DHE KAMBERI U MUNDËN NGA KOSOVA
Për dallim nga përfaqësuesja “A” e Maqedonisë që zhvilloi dy ndeshje zyrtare në kuadër të Ligës së Kombeve, dy futbollistët tjerë të skuadrës tonë, Shaban Zenku dhe Bekim Kamberi zhvilluan dy miqësore me ekipin shpresa të Maqedonisë kundër përfaqësueses së Kosovës.
Në të dyja ndeshjet futbollistët e Struga Trim Lum kishin minutat e tyre në disponim. Kamberi në ndeshjen e parë të 14 nëntorit luajti gjithë pjesën e parë, ndërsa në ndeshjen e dytë të zhvilluar tre ditë më vonë, mesfushori ynë në lojë u inkuadrua nga minuta e 60-të.
Për dallim nga Kamberi, mesfushori ynë ofenziv, Zenku në ndeshjen e parë në lojë ishte inkuadruar në fillimin e pjesës së dytë, duke luajtur deri në fund të ndeshjes, ndërkohë në ndeshjen e së dielës (17 nëntor), i njëjti luajti vetëm 10 minutat e fundit të takimit.
Shpresat e vendit në të dyja ndeshjet u mundën nga moshatarët e tyre të Kosovës. Në ndeshjen e parë, rezultati ishte 1:3 në favor të “dardanëve” të rinj, ndërsa ndeshja e dytë u mbyll me rezultatin 0:1.