Izet Mexhiti: VLEN fitues absolut në zgjedhjet lokale, me lista dhe kandidatë të përbashkët
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot_14.jpg?resize=565%2C470&ssl=1)
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka theksuar se koalicioni VLEN do të mbetet unik dhe i bashkuar edhe në zgjedhjet lokale, duke garuar me lista dhe kandidatë të përbashkët. Ai madje u shpreh optimist se do jenë fitues absolut të zgjedhjeve lokale. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, ai theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm në zgjedhjet parlamentare do të vazhdojë edhe në nivel lokal.
“VLEN-i është unik, punojmë së bashku për realizimin e programit dhe platformës, ashtu siç kemi vepruar në zgjedhjet parlamentare kur sollëm rotacion politik në kampusin shqiptar. Ashtu siç kemi bërë ndarjen e listave të deputetëve dhe organeve në qeveri, nuk shoh pengesë apo telashe që ta bëjmë të njëjtën edhe në zgjedhjet lokale,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se në zgjedhjet lokale, përveç konceptit politik, ka rëndësi edhe përzgjedhja e individëve më të mirë për të përfaqësuar qytetarët në nivel komunal. “Do të zgjedhim kandidatët më të mirë, pasi në zgjedhjet lokale votohet edhe për individin dhe jo vetëm për konceptin politik,” shtoi ai.
Me këtë qëndrim, Mexhiti konfirmoi vazhdimësinë e unitetit brenda VLEN-it, duke forcuar pozicionin e koalicionit si një alternativë e bashkuar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.