Janevska: Na nevojitet arsim profesional në funksion të ekonomisë
Arsimi profesional dhe trajnimi në periudhën e kaluar kanë shënuar progres të madh
Nëse nuk krijojmë edukim profesional sipas komunitetit të biznesit, atëherë e kemi gabuar qëllimin. Ne kemi nevojë për sistem arsimor që do t’i shërbejë nevojave të shoqërisë, ekonomisë dhe industrisë. Prandaj, ne përforcojmë marrëdhëniet me kompanitë, dëgjojmë nevojat e biznesit dhe së bashku marrim pjesë në arsimimin e të rinjve tanë.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska në tryezën e sotme të rrumbullakët kushtuar rolit të kompanive në krijimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Maqedoni, organizuar nga Oda Ekonomike.
“Arsimi profesional dhe trajnimi në periudhën e kaluar kanë shënuar progres të madh. Shkollat profesionale po bëhen më atraktive dhe më tërheqëse për të rinjtë, ndaj sot nga 17 mijë nxënës në vitin e parë në arsimin e mesëm , 12 mijë janë regjistruar në shkollat e mesme profesionale, prej të cilëve rreth 4000 mësojnë në paralele duale gjegjësisht sipas konceptit të të mësuarit përmes punës”, informoi Janevska, duke shtuar se përkundër këtyre rezultateve jashtëzakonisht pozitive nga përpjekjet e përbashkëta të institucioneve dhe komunitetit të biznesit, ajo është e vetëdijshme se ekzistojnë edhe sfida në të cilat duhet punuar.
„ Këtu jam për t’i dëgjuar sugjerimet dhe rekomandimet tuaja se si të ecim përpara, si të përmirësohet cilësia e mësimdhënies dhe ju siguroj se çdo rekomandim apo sugjerim do të inkorporohet në Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm Profesional, për të cilin aktualisht po zhvillojmë debat publik, dhe pastaj e gjithë kjo të zbatohet në praktikë”, theksoi Janevska.