Jeff Hovenier: Ka aktorë të huaj që duan të minojnë demokracinë në Kosovë

“Jo, nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë,” tha Hovenier më 10 dhjetor në Prishtinë, gjatë një konference të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar i SHBA-së (NDI), me seli në Uashington.
Ai shtoi se dezinformatat mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore, kur Kosova po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen më 9 shkurt.
Në këtë kontekst, Hovenier theksoi një bisedë të rremë, të shpikur, mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila u shpërnda disa vite më parë në rrjetet sociale “me qëllim që të mbillet mosbesim në mesin e komunitetit serb në Kosovë”.
“Për fat të mirë, shumë pak njerëz e morën atë seriozisht… Por, fakti që dikush e shkroi një skenar, e përgatiti atë skenar, krijoi një video të rreme të plotë me qëllim që të mbillte mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e shpërndau atë në rrjetet sociale, tregon shkallën e këtyre problemeve”, theksoi ambasadori amerikan.