Kasado: Shokët e skuadrës në Barcelonë më tallin për diçka
Mark Kasado është padyshim zbulesa më e madhe në erën e Hansie Flick në Barcelonë dhe me paraqitjet e tij të forta është konsoliduar në formacionin startues të trajnerit gjerman, por ai vetë është i vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë.
Mesfushori i ri arriti të sigurojë një vend në ekipin më të fortë të gjigantit katalanas, por është i bindur se ka hapësirë për përparim në të gjitha elementet, sidomos kur bëhet fjalë për detyrat ofensive në fushë.
“e di se mund të përmirësohem në shumë aspekte, por më së shumti duhet të punoj mbi lojën në sulm. Duhet të punoj më shumë që të jem i rrezikshëm dhe para portës kundërshtare. Disa herë shokët e skuadrës më tallin sepse nuk kam shënuar asnjë gol. Shpresoj të arrij të shënoj një gol në vitin 2025.
Të gjithë në ekip kemi hapësirë për përparim dhe duhet të mendojmë në madhështi. Mendoj se mund të kemi ambicie dhe qëllime të larta, dhe që të ndodhë kjo, do të duhet të përmirësojmë gabimet që na dënuan në disa ndeshje të fundit në La Liga.
Duhet të kuptojmë ku po gabojmë dhe të ndryshojmë këtë tendencë të rezultateve të këqija. Ndeshjet i humbëm për shkak të detajeve dhe duhet të bëjmë që ato të jenë në anën tonë. Jemi të bindur se do ta zgjidhim këtë që në fillim të vitit të ri,” thotë Kasado.