Kandidati për kryetar të Tetovës nga Koalicioni VLEN, Bilall Kasami, mori pjesë sot në një panel të organizuar nga Forumi i Gruas së VLEN-it në Tetovë, me temë “Zëri i grave në vendimmarrje”.
Në aktivitet morën pjesë edhe Albi Qamili, bartës i listës së këshilltarëve për Komunën e Tetovës, deputete, kandidate për këshilltare dhe gra të angazhuara në jetën publike e politike të vendit.
Kasami theksoi rëndësinë që ka përfshirja aktive e grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse, duke thënë se pa zërin dhe energjinë e gruas, asnjë ndryshim i vërtetë nuk mund të ndodhë.
“Roli i gruas në politik nuk duhet të jetë simbolik, por thelbësor. Aty ku gratë vendosin, vendimet janë më të mençura, më njerëzore dhe më afër njerëzve,” – deklaroi Kasami.
Ai vlerësoi kontributin e grave që, siç tha, çdo ditë japin frymë, dashuri dhe përkushtim për zhvillimin e Tetovës dhe të shoqërisë në tërësi.
Në përfundim, Kasami falënderoi gratë e Forumit të Gruas së VLEN-it për guximin dhe përkushtimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.