KOK dënon ashpër incidentin e ndodhur, e sidomos kur shkaktar i kësaj bëhet gjyqtari
Komiteti Olimpik i Kosovës e ka pritur me shqetësim dhe indinjatë të thellë incidentin e ndodhur gjatë turneut të kick-boksit në Cetinje të Malit të Zi, ku gjyqtari i kik-boksit, Fegja Terbonja nga Bosnja e Hercegovina, sulmoi fizikisht trajnerin tonë të këtij sporti, Migjen Shala.
KOK dënon ashpër incidentin e ndodhur, e sidomos kur shkaktar i kësaj bëhet gjyqtari, roli i të cilit është ndarja e drejtësisë në ring, promovimi i respektit dhe ‘fair-playt’.
KOK, pas kontakteve dhe koordinimit me Federatën e Kick-Boksit të Kosovës, ka kontaktuar menjëherë me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Malit të Zi, në vendin e të cilëve u zhvillua turneu, dhe me Komitetin Olimpik të Bosnjës e Hercegovinës, nga të cilët ka kërkuar marrjen e masave ndaj gjyqtarit!
Njëkohësisht, i shprehim mbështetjen tonë trajnerit dhe ekipit të kick-boksit, duke theksuar se siguria dhe integriteti i sportistëve dhe trajnerëve duhet të jenë krye-prioritet i çfarëdo ngjarje sportive.
Urojmë që raste të tilla të mos shohim më, pasi shkaktarët e dhunës nuk e kanë vendin në ngjarjet sportive.