Komuna e Tetovës ka shpallur thirrjen për emrat e rinj të rrugëve, lusin qytetarët t’i dërgojnë propozimet
“Nga dita e sotme, në komunën e Tetovës, është hapur thirrja për propozim emrat e rinj të rrugëve që janë vetëm me numra apo nuk kanë as numër e as emër. Nga sot gjithë banorët do të mund që të propozojnë emra për këta, por edhe rrugët që mbajnë emra rus apo të personaliteteve që nuk përkojnë aspak me realitetin, siç janë Lenin, Juri gagarini apo të ngjashme”, raporton gazetari i Alsat, Bahskim Sulejmani.
Shpallja për propozimet e reja do të zgjas deri në 10 mars, thotë kreu i komisionit për riemërtimin e rrugëve.
“Sot në mënyrë zyrtare shpallet thirrja publike për emërtim dhe riemërtim të e rrugëve në Tetovë. Siç jeni njoftuar për këtë kemi formuar grup pune që i prij unë dhe njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të cilët kemi bë të pamundurën për të arritur deri këtu. Thirrja publike që do hapet sot do zgjas deri më dhjetë mars. Gjithë qytetarët do mund që propozimet e tyre t’i dërgojnë në linkun e bashkëngjitur në shpallje, duke plotësuar edhe një pyetësor. Pyetësori për qytetarët apo grupet që nuk shfrytëzojnë rrjete sociale, do mund ta shkarkojnë të njëjtin dhe ta dorëzojnë në adresë të komunës. Pasi të mblidhen gjitha propozimet, grupi i punës do krijoj një listë me gjithë emrat dhe do përpiloj listë konkrete që do shpallet në faqen zyrtare të komunës së Tetovës”, tha Argjend Veliu, kryetar i komisionit për emërtim të rrugëve.