Komunikatë për Opinionin Publik – KF Shkëndija

Komunikatë për Opinionin Publik – KF Shkëndija

Dje (e shtunë, 05.10.2024), në ndeshjen e xhiros së 9-të të Ligës së Parë, Sileksi – Shkëndija (0:0), e luajtur në Kratovë, për fat të keq, përsëri protagonizmin nga loja e vodhi arbitri Aleksandar Stavrev me disa vendime tepër diskutabile. Ndër të tjera, ai mori dy vendime për kartona të kuq ndaj lojtarëve tanë, të cilët janë tërësisht të diskutueshëm (sidomos i pari i Trumçit në minutën e 55-të).

Si klub, jemi lodhur nga ankesat e pafundme dhe reagimet tona ndaj mënyrës së ndarjes së drejtësisë në fushë, që vazhdimisht ka ndikuar në rezultatet tona. Kësaj radhe, përveç ankesës zyrtare që i është drejtuar Komisionit të Arbitrave pranë FFM-së, dalim publikisht me këtë komunikatë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për dëmet që na janë shkaktuar vazhdimisht nga arbitrat, dhe konkretisht nga Stavrev.

Nuk është hera e parë që ndeshjet direkte mes Sileksit dhe Shkëndijës referohen nga Stavrev, dhe për më shumë se një dekadë këto ndeshje kanë qenë të shoqëruara me “gabime” që, për çudi, gjithmonë ndodhin në dëm të Shkëndijës. Vendimet e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në rezultatin e ndeshjeve, por shpesh edhe në pozicionin tonë përfundimtar në renditjen e kampionatit.

Pyesim publikisht: Çfarë ka Stavrev kundër Shkëndijës? Pse këto gabime të përsëritura ndodhin vetëm ndaj nesh?

Apelojmë fuqimisht te organet kompetente të FFM-së që të marrin masa konkrete dhe të mos justifikojnë më gabimet e arbitrave. Kjo duhet të jetë hera e fundit që ne të jemi “viktima” e padrejtësive në fushë nga arbitrat në përgjithësi dhe Stavrevi në veçanti.

Me respekt,

KF Shkëndija

Related Articles

Back to top button