Kosova po armatoset ushtarakisht me blerjen e helikopterëve dhe armëve kundërtank

Procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë, i cili ka hyrë në vitin e shtatë, po zhvillohet sipas planit, thotë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

“Po gjenerojmë opsione për blerjen e helikopterëve dhe besoj se në ditët e ardhshme do të kemi informacione më të qarta se ku është orientimi ynë për helikopterët dhe qytetarët normalisht do të informohen për këtë. Qëllimi ynë është që gjithmonë të kemi të paktën një pjesë të këtyre mjeteve në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) para përfundimit të fazës së tretë kalimtare, përpara vitit 2028”, thotë ai.

Gjatë këtij procesi, Kosova ka blerë dronë dhe automjete të ndryshme ushtarake. Shteti është përqendruar në investime për sisteme moderne të armëve, përfshirë blerjen e armëve kundërtank “Javelin”.

Me përfundimin e transformimit, pritet që FSK të ketë përgjegjësi për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Ministri thotë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim me krijimin e 48 bazave të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

Në Rashkë, Nish dhe Vranjë, thotë ai, janë ngritur edhe baza të tjera që ndodhen afër territorit të Kosovës.
Ai e konsideron të mundshëm rrezikun e sulmeve, duke marrë parasysh se terroristët e sulmit në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc ende nuk janë ndëshkuar.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights