Kosova triumfon në Lituani me golat e Zhegrovës e Krasniqit
Kombëtarja e Kosovës ka realizuar fitoren e dytë radhazi si mysafire në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur Lituaninë në Kaunas, me rezultat 2:1. Dardanët e nisën mirë ndeshjen dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 20-të, me golin e Edon Zhegrovës me gjuajtje nga distanca.
Pas golit ishin vendasit që patën më shumë iniciativë në fushë, por pa arritur të rrezikojnë portën e Amir Saipit, i cili debutoi në fanellën dardane. Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Dardanët, të cilët e menaxhuan lojën dhe në minutën e 65-të arritën edhe të gjejnë golin e dytë. Ishte zëvendësuesi Ermal Krasniqi, ai i cili shënoi pas një aksioni të rrjedhshëm dhe një veprim individual, duke regjistruar kësisoj golin e parë në fanellën e Kosovës. Dardanët patën edhe disa raste tjera për ta shtuar epërsinë dhe për ta mbyllur më herët lojën, por ato nuk u shfrytëzuan. Në anën tjetër, lituanët në minutën e 84-t arritën të ngushtojnë epërsinë me golin e Golubickas, pas intevenimit jo të mirë të portierit Saipi.
Megjithatë, në minutat e mbetura me gjithë presionin e vazhdueshëm të vendasve, të përzgjedhurit e Franco Fodës arritën ta ruajnë epërsinë, duke arkëtuar tri pikë të reja. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të martën kundër Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.