Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi u bën thirrje politikanëve në Tiranë e Prishtinë: “Mos u mashtroni me trillimet e Ali Ahmetit!”

Kryetari i Alternativës ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj disa deklaratave të eksponentëve politikë në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët kanë pretenduar se gjuha shqipe është e rrezikuar në Maqedoninë e Veriut. Ai kritikoi ashpër këto qëndrime, duke i cilësuar si manipulime dhe përpjekje për të krijuar narrativë politike të pavërtetë.

Sipas tij, dikur politikanë si Hashim Thaçi dhe Edi Rama u mashtruan duke besuar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ishte zyrtarizuar, por realiteti tregoi të kundërtën, pasi ajo vazhdon të trajtohet si gjuhë e pakicës.

“Tash i mashtrojnë përsëri disa politikanë të tjerë në Tiranë e Prishtinë se ‘ajo gjuha që atëherë ata e kishin zyrtarizuar’, e që doli se nuk ishte zyrtarizuar, tash qenka e rrezikuar,” shkroi ai.

Kryetari i Alternativës shtoi se pas këtyre deklaratave qëndron “pasioni për pushtet dhe frika nga drejtësia”, duke theksuar se situata e gjuhës shqipe në RMV është rezultat i neglizhencës dhe mungesës së seriozitetit nga të gjithë akterët politikë.

“Koha e mashtruesve ka përfunduar,” përfundoi ai, duke apeluar për një qasje më të përgjegjshme ndaj çështjes së gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights