Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski nis asfaltimin RRUGËS 1, arteries kryesore në Vizbeg
Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski sot ka nisur me realizimin e njërit prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në lagjen Vizbeg, duke filluar kështu rikonstruksionin e plotë të Rrugës 1, një nga arteriet kryesore që shpie deri tek shkolla e re fillore komunale “VIZBEG”.
Kjo rrugë, me një gjatësi mbi 700 metra, së bashku me degëzimet e saj, është një nga rrugët e paasfaltuara më të mëdha në këtë zonë. Projekti i rikonstruksionit përfshin gërmime mekanike, nivelimin e terrenit, shtrimin e tamponit dhe asfaltimin e më shumë se 2100 m³, duke siguruar kushte moderne dhe të sigurta për banorët dhe nxënësit që frekuentojnë shkollën.
Kryetari Kostovski me këtë rast ka thënë se ky projekt është pjesë e përkushtimit të tij për zhvillimin e barabartë të të gjitha vendbanimeve të Komunës së Butelit.
“Rikonstruksioni i kësaj rruge do të zgjidhë një nga problemet kryesore të qarkullimit në lagjen Vizbeg, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt arritjen deri tek shkolla e re. Ne vazhdojmë të investojmë për të përmirësuar jetën e çdo qytetari në komunën tonë. Edhe një tjetër premtim i madh i bërë para banorëve të Vizbegut, sot nis të realizohet. Fillojmë me rikonstruksionin e një prej rrugëve më të mëdha të paasfaltuara në Vizbeg, RRUGËN 1. Kjo rrugë bashkë me degëzimet e saj në lagjen Vizbeg është një nga rrugët më të mëdha të paasfaltuara, në gjatësi në mbi 700 metra. Kjo arterie është një nga rrugët që shpie deri tek shkolla e re fillore komunale “Vizbeg”. Ky investim do të përfshijë gërmim mekanik, nivelimin dhe shtrim të tamponit dhe asfaltit të ri në më shumë se 2100 m3.
Rikonstruksioni i kësaj rruge do të zgjidhë një nga problemet më të mëdha sa i takon arritjes deri tek shkolla e re. Zhvillimi i barabartë në të gjithë komunën e Butelit. Ne investojmë në të gjitha vendbanimet tona!” ka shkruar Kostovski në faqen e tij zyrtare në facebook.
Banorët e Vizbegut e mirëpritën këtë iniciativë, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të standardeve të jetesës në zonën e tyre.