Ligj i ri në Kroaci: Punëtorët e huaj nuk mund të kenë paga më të ulëta se ato të kroatëve
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2025/02/5_the_top_10_best_beaches_in_croatia_the_top_10_best_beaches_in_croatia_172846.webp?resize=593%2C400&ssl=1)
Përmes një ligji të ri në Kroaci, punëtorët e huaj nuk do të mund të kenë paga më të ulëta se ato të kroatëve. Ky rregullim është pjesë e ligjit të ri, i cili ka për qëllim të sigurojë barazi pagash midis punëtorëve vendas dhe atyre të huaj.
“Me këto ndryshime, ligji do të harmonizohet me legjislacionin evropian. Duam të rregullojmë më mirë dhe në mënyrë më sistematike kuadrin ligjor që të mund të reagojmë në mënyrën e duhur ndaj numrit në rritje të punëtorëve të huaj që po vijnë në Kroaci”, deklaroi kryeministri Andrej Plenkoviç.
Ai shtoi se me këtë ligj do të rregullohet statusi dhe mbrojtja e punëtorëve të huaj, si dhe mbikëqyrja e agjencive që ndërmjetësojnë në punësimin e tyre në Kroaci.
Rritje e konsiderueshme e kërkesave për leje qëndrimi dhe pune
Në vitin 2024 janë paraqitur 286,000 kërkesa për leje qëndrimi dhe pune, që paraqet një rritje prej 22% krahasuar me vitin 2023. Në total, janë lëshuar 206,529 miratime, që është 210% më shumë krahasuar me vitin 2020, kur janë miratuar 66,655 leje.
Sektorët më të përfaqësuar me punëtorë të huaj
Pjesa më e madhe e lejeve janë lëshuar për këta sektorë:
- Ndërtimtari
- Turizëm dhe shërbime
- Industri
- Transport dhe komunikim
- Tregti
Nga numri i përgjithshëm i lejeve:
- 132,000 janë për punësime të reja
- 57,000 janë për vazhdimin e lejeve
- 17,500 janë për punë sezonale, kryesisht në turizëm dhe shërbime
Vende me numrin më të madh të lejeve të lëshuara
Në vitin 2024, numri më i madh i lejeve për qëndrim dhe punë janë lëshuar për qytetarët e:
- Bosnjës dhe Hercegovinës – 38,100
- Nepalit – 35,635
- Serbisë – pothuajse 28,000
- Indisë – 20,000
- Filipineve – 14,600
- Maqedonisë – pak më pak se 14,000
- Uzbekistanit – 7,000
- Egjiptit – 7,000