Ligjëratë mbi parandalimin e dhunës kibernetike në shkollat e Tetovës

Anëtarët e Këshillit komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve zhvilluan vizitë në dy shkollat e qytetit të Tetovës, ku mbajtën ligjeratë mbi temën “Parandalimi i dhunës mes moshatarëve, me theks në dhunën kibernetike”. Ligjërata u zhvillua para nxënësve të shkollave fillore komunale “Naim Frashëri” dhe “Kirili dhe Metodi”. Përpos ligjeratës bashkarisht diskutuan mbi çështje të rëndësishme për parandalimin e dhunës mes moshatarëve.

Gjatë ligjëratës, anëtarët e Këshillit Blerta Ahmedi, Ardita Abduli,  Mernush Ferati, Stevica Sarkosi dhe Elif Mahmuti trajtuan aspekte të ndryshme të dhunës mes moshatarëve me fokus të veçantë mbi dhunën kibernetike, si dhe rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në mënyrë të sigurtë dhe të përgjegjshme. Nxënësit u njohën me mundësitë e parandalimit të dhunës dhe mënyrat se si të mbrohen nga bota digjitale.

Në këtë rast, u diskutua edhe për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet kompetente, në nivelin e pushtetit lokal, për të adresuar sfidat e lidhura me sjelljet devijante dhe dhunën mes të rinjëve. Pjesë e diskutimeve ishin poashtu sfidat që paraqiten për nxënësit në përballjen me situata të tilla dhe roli i bashkëpunimit mes shkollës, nxënësve dhe prindërve.

Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit u njoftuan me kompetencat e Këshillit Komunal dhe u angazhuan në diskutime për tema që janë të rëndësishme për ta. Aktivitetet të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, me qëllimin e vetëm, promovimin e faktorëve mbrojtës që ndihmojnë në parandalimin e delikuencës së të rinjëve.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights