Lloga: Gjykata Kushtetuese dy herë ka shkelur sigurinë juridike të rendit kushtetues, ky është “grusht shteti”
Ky udhëzim prekte drejtpërdrejt jo vetëm shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, vllehët dhe të tjerë, por edhe vetë maqedonasit,
Si ish-ministër i Drejtësisë, më duhet të them se Gjykata Kushtetuese, në dy raste gjatë një periudhe prej një viti, ka shkelur sigurinë juridike të rendit kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo mund të cilësohet si një veprim me pasoja të rënda për shtetin ligjor, ndoshta edhe si një formë “grushti shteti”. Detyra e Gjykatës Kushtetuese është të vlerësojë pajtueshmërinë e akteve me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse, jo të krijojë rregullativë të re, e cila është funksion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Një rast i tillë u shfaq kur Gjykata, me vetiniciativë të saj hapi çështjen lidhur me “Udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores mbi mënyrën e mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së librave amë”, në këtë rast duke pezulluar fushën e përkatësisë etnike. Çështja nuk u trajtua në thelb për kushtetutshmërinë e saj, por vetëm për shkeljen e afatit kushtetues, i cili ishte tejkaluar.
Megjithatë, në një rast të ngjashëm në vitin 2004 (Iniciativë e Toni Deskovskit për afatin kushtetues në lidhje me Ligjin për nënshtetësinë), Gjykata kishte vendosur ndryshe, duke deklaruar se: Afati i përcaktuar me Kushtetutë për botimin nuk mund të pranohej se është një normë kushtetuese me qëllim kufizues në lidhje me zbatimin e rregulloreve që u publikuan duke zgjatur afatin dhe hynë në rendin juridik, sepse kjo normë është pjesë e tërësisë së normave kushtetuese për garancitë e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, të cilave në këtë rast, në mënyrë të pamohueshme, u sigurohet dhe përmbushet e drejta e garantuar e botimit, për hir të njohjes me ligjet dhe rregulloret e tjera në rendin juridik.
Në atë kohë, paraqita shumë akte (ligje, rregullore, udhëzime, etj.) që tregonin se publikimet në Gazetën Zyrtare ishin bërë shpesh përtej afatit të parashikuar, por qëllimi i Gjykatës nuk ishte mbrojtja e kushtetutshmërisë, por mbrojtja e parregullsive në proceset e punësimit për komunitetet jo shumicë. Udhëzimi synonte të ndalonte praktikat arbitrare të deklarimit të përkatësisë etnike vetëm për punësim, të cilat keqpërdorej për të përfituar të drejtën kushtetuese të punësimit për bashkësitë etnike përkatëse të caktuara.
Ky udhëzim prekte drejtpërdrejt jo vetëm shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, vllehët dhe të tjerë, por edhe vetë maqedonasit, ku në komuna ku ishin minoritet, nuk mund ta realizonin këtë të drejtë; thënë më shkoqur, udhëzimi ndërpriste mundësinë e rikthimit të situatës së para vitit 2002, ku qytetarët jo maqedonas ishin qytetarë të kategorisë së dytë.
Normalisht, elitës politike maqedonase, oligarkisë së saj dhe “deep state”-it nuk i leverdiste që shqiptarët të ishin aty ku u takon në shtetin e tyre, të drejtën e punësimit, por edhe të drejtën e bartjes së funksioneve publike konform numrave të marra nga Enti Statistikor dhe që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë.
Politika e “balancerit” për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve nuk paraqiste problem deri sa popullsia maqedonase filloi të tkurret në vetëm 54% të totalit, dhe kështu sistemi shtetëror po përballej me humbjen e kontrollit nga elitat maqedonase dhe struktura e “deep state” të mbështetura nga Beogradi.
Ashtu si para disa muajsh, kur gjykata përplasej me veten e saj, sot përsëri vazhdoj me precedentin e njëjtë të shkeljes së praktikës gjyqësore dhe cenimin e sigurisë juridike, pasi për rast thuajse identik ajo në vitin 2020, në lidhje me kontestimin e Vendimit të Bordit Drejtues të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” për vendosjen e kuotës së veçantë për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Veriut. Maqedonia gjatë pranimit të studentëve për trajnim fillestar, Gjykata vlerësoi se: “Vendimi i kontestuar nuk është në kundërshtim me normat e përmendura kushtetuese dhe ligjore. Në të kundërtën, sipas Gjykatës, Bordi Drejtues i Akademisë me këtë vendim pohon vlerat e vendosura pozitive, duke përcaktuar një kuotë të veçantë për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë. Kjo kuotë përcaktohet në bazë të të dhënave përkatëse të marra nga Enti Shtetëror i Statistikave për përqindjen e përfaqësimit të komuniteteve.” Madje, gjykata do të shtonte se: “Gjykata nuk pranoi pretendimin se vendimi cenon parimin e barazisë nga neni 9 i Kushtetutës. Ai theksoi se në këtë rast zbatohen dispozitat specifike të amendamenteve XXIX dhe XXX, të cilat në mënyrë eksplicite rregullojnë çështjen e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve joshumicë.” Sot, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese z.Salih Murat ka bërë një komparacion dhe analizë të shkëlqyer në lidhje me vendimet kontradiktore si dhe me abuzimin në interpretim në të cilin është thirrur Gjykata Kushtetuese. Ai shprehet se: “Është shqetësuese që Gjykata injoron kontekstin e plotë kushtetues, veçanërisht kuptimin e Amendamenteve VI, VIII, X, XI, XVI, XXIX dhe XXX. Interpretimi problematik i të drejtës së privatësisë në këtë vendim mund të dëmtojë zbatimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese. Neglizhimi i ‘balancuesit’ si një mekanizëm i rëndësishëm për sigurimin e përfaqësimit adekuat është një mangësi serioze e kësaj zgjidhjeje”, si dhe “Gjykata shkel parimin e barazisë nga neni 9 i Kushtetutës duke shpërfillur nevojën e masave pohuese për arritjen e barazisë thelbësore. Edhe pse i referohet barazisë, Gjykata në fakt e shkel këtë parim duke injoruar faktin se barazia formale mund të çojë në pabarazi de facto për anëtarët e komuniteteve pakicë”.
Pasojat potenciale negative të këtij vendimi janë të gjera. Ai krijon pasiguri juridike, rrezikon të rrezikojë kohezionin social dhe mund të prishë konsensusin e gjerë shoqëror të arritur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Në planin ndërkombëtar, mund të vihet në dyshim përkushtimi i Maqedonisë së Veriut ndaj standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen edhe të pakicave.
Ekziston një rrezik real i çekuilibrit institucional dhe prishjes së balancës etnike në institucionet publike, gjë që mund të çojë në legjitimitet të zvogëluar të tyre.
Si përfundim, mund të thuhet se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj duke krijuar rregullativa të reja për të cilat as nuk ka mandat dhe as nuk e ka të bazuar; lajthitja juridike do të kishte qenë terminologjia më e butë për këtë gjykim, por më e saktë do të kishte qenë KRIM JURIDIK.
– Krenar Lloga, ish Ministër i Drejtësisë dhe Nënkryetar i ASH