Makron pas ndërprerjes së bisedës Trump-Zelensky: Ka një agresor, dhe ai është Rusia

Presidenti francez Emmanuel Macron sonte, pas ndërprerjes së bisedës mes presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se ekziston një “agresor – Rusia dhe njerëzit që po sulmohen në Ukrainë”.

“Ka një agresor, dhe ai është Rusia, ka një popull të sulmuar, dhe ai është Ukraina,” tha Macron për gazetarët në Portugali, para përfundimit të vizitës së tij në këtë vend.

“Mendoj se kishim të drejtë kur e ndihmuam Ukrainën dhe e sanksionuam Rusinë para tre vitesh dhe vazhduam ta bëjmë këtë,” shtoi presidenti francez.

Reagoi edhe kryeministri polak Donald Tusk, i cili në rrjetin social “X” i shkroi Zelenskyt dhe ukrainasve se “nuk janë vetëm”.

Presidenti amerikan Donald Trump sonte ndërpreu takimin me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy pritej të nënshkruanin një marrëveshje kornizë për shfrytëzimin e burimeve minerale të Ukrainës.

Trump, i cili bërtiti ndaj Zelenskyt, tha se presidenti ukrainas tregoi mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara.

Siç raportuan agjencitë ndërkombëtare, Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights